‘Mjeshtri i Madh’ i humorit shkodran dhe mbarë shqiptarë, Paulin Preka ka ndërruar jetë ditën e sotme në moshën 86-vjeçare.

Kolosi i humorit shqiptar mbylli përgjithmonë sytë në Itali, ku jetonte prej vitesh me familjen e tij.

Paulin Preka është pjesë e asaj kaste aktorësh të mëdhenj të humorit, të cilët shënjuan emrin e tyre në historinë e artit shqiptar. Mësohet se Preka u nda nga jeta pas një sëmundje. Preka numëron me dhjetëra role në teatër dhe kinematografi, ndërsa ka spikatur me estradën e Shkodrës në rang kombëtar dhe ndërkombëtar.

JETA DHE VEPRA E TIJ:

Paulin Preka (1935). Aktor. Lindi në Shkodër. Kreu shkollën e mesme në qytetin e lindjes, spikati në Lëvizjen Amatore dhe u terhoq si aktor profesionist në Estradën e Shkodrës duke krijuar aty një profil artistik origjinal gjatë më shumë se 40 vjet karrierë.

Ka luajtur role të karaktereve të ndryshme në llojet e shkurtra të humorit, si komedi me një dhe disa akte, skeçe, dialoge, monologe, parodi, kuplete etj. Aktrimi i tij spikati posacërisht në mishërimin e personazheve pozitive, ku ai ishte i hijshëm, i natyrshëm dhe fin në skenë.

Kishte një zë paksa te ngjyrur, por te mevetësishëm. Krijoi nje galeri figurash, kryesisht njerëz te mençur, ironik, thumbues, që dinë te tallen dhe të shpotisin plot lezet te tjerët, me një “seriozitet” të madh në dukje, c’ka krijon pikerisht kontrapunktin komik.

Në aktrimin e tij binte në sy pozita aktive e personazhit si dhe një sjellje sa më pranë të vërtetës jetësore, duke shfrytëzuar me zgjuarsi situatën komike të krijuar. Kjo metodë e çonte atë shpesh drejt stilit të interpretimit në një komedi se sa në zhanret e estradës a llojin e farsës.

Bashkë me aktorët e mirënjohur të kesaj estrade si Tano Banushi, Hasan Smaja, Zyliha Miloti dhe Zef Deda, ai ka luajtur shume pjese e komedi të shkruara për estradë (Daja i burrit, Dhendri nga Amerika, Fotografisti, Toka jone, Kunati i shokut Xhemal, Trualli i zene etj). Mban titullin “Artis i merituar”.

(E.D/faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re