Skip to content

“Ata duan vetëm njohjen e Kosovës”, Vuçiç nuk ‘dorëzohet’ para ndërkombëtarëve: Ne do vazhdojmë …

Presidenti i Serbisë,  Aleksandër Vuçiç tha se Serbia ndodhet në një situatë të vështirë me Kosovën pasi sipas tij ajo që kerkojnë vendet perëndimore në dialog është thjesh njohja e Kosovës.

“Gjithçka që përfaqësuesit ndërkombëtarë duan nga Serbia mund të futet në një fjali, njohja e pavarësisë së Kosovës,” tha Vuçiç të shtunën në mbrëmje.

“Serbia, megjithatë, do të këmbëngulë me zë të lartë dhe qartë në zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Brukselit, domethënë krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe”, shtoi ai.

Sipas “Kossev.info”, pika e parë e takimit të Këshillit të Sigurimit Kombëtar të mbajtur mbrëmë kishte të bënte me situatën në Kosovë përmes tre nën-pikave: Presioni ndaj Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës, presioni me të cilin përballen serbët dhe jo-shqiptarët dhe çfarë Serbia mund të presë si rreziqe potenciale në Kosovë.

Sipas Presidentit Serb, pikërisht ajo fjali, njohja e pavarësisë së Kosovës do të jetë edhe më e theksuar dhe madje më drastike se kurrë më parë. Ai përsëriti se Serbia do të mbrojë interesat e saj shtetërore dhe kombëtare.

“Ne do të ruajmë atë që mundemi dhe atë që nuk kemi arritur të humbasim me politikat tona të papërgjegjshme në dekadat e mëparshme”,- tha Vuçiç, duke kritikuar veprimet e opozitës aktuale në Serbi.

Serbia do t’i kushtojë edhe më shumë vëmendje zonave në jug të Ibrit në periudhën e ardhshme sipas Vuçiç.

”Autoritetet shqiptare donin të kishin një ndikim më të thellë dhe të krijonin përçarje brenda popullatës serbe. Në të vërtetë, në një masë të vogël, ata arritën të bënin diçka duke blerë shpirtra serbë në jug. Ata nuk arritën ta bënin atë në veri, por e bënë në jug për shkak të fatkeqësive të njerëzve tanë dhe sepse kemi shumë më tepër serbë të papunë sesa ne në veri. “– vijoi ai.

(E.H/Faxweb.al)

/faxweb