Vala e shtrenjtimit të çmimeve pritet të prekë edhe biletat e autobusëve. Shoqata e transportit publik ankohet se rritja e çmimit të naftës vështirëson punën në këtë sektor, të goditur ekonomikisht edhe nga pandemia.

 

Për të shmangur rritjen e çmimit të biletave për udhëtarët, Shoqata ka disa kërkesa për institucionet përgjegjëse.

 

DASHNOR MEMAJ

KREU I SHOQATES SE TRANSPORTIT URBAN DHE INTERURBAN VERI

 

“Rritja e çmimit të naftës ka shqetësuar tej mase sektorin tonë, sektori jonë është i varur drejtpërdrejt nga konsumimi i naftës. Jemi sektori i parë që e ndjen rritjen. Kemi bërë disa kërkesa ekonomike. Mbetet një opsion edhe rritja e çmimit të biletave, të paktën për transportin ndërqytetas. Jemi në pritje, kemi dorëzuar para disa ditësh edhe kërkesën e fundit në instancat përkatëse. Jemi në pritje të tyre. Nuk duam të rëndojmë xhepin e qytetarëve, por jemi në mbijetesë ekonomike dhe do të jetë e papërballueshme rritja e çmimit të naftës. Në momentin që nuk merren parasysh kërkesat tona, reduktimi i TVSH në shitje nga 20% në 6% ose heqja e taksës së qarkullimit, jemi të detyruar të mbijetojmë në treg dhe të rrisim çmimet.”

 

Shoqata e transportit publik i ka lënë një afat qeverisë për përgjigje. Nëse ajo do të jetë negative, biletat e autobusit do të rriten.

 

“Ne do t’i presim deri në datën 15 tetor, do të kemi një mbledhje të përgjithshme me të gjithë anëtarët.”

 

Për të vendosur me sa do të shtrenjtohen biletat, përfaqësuesit e Shoqatës do të shohin ecurinë e përditshme të çmimit të naftës. Nga ana tjetër, qytetarët ankohen se rritja e çmimit të biletave do të ishte e papërballueshme për ta.

 

QYTETARËT

 

“Nuk e përballojmë dot kaq sa është, jo më të rritet më tepër. Unë vij nga Hasi në Tiranë. E përdorim shpesh, na bie 3-4 herë. Me kaq sa është, nuk e përballojmë dot. Aktualisht paguaj 7 mijë lekë për person nga Hasi në Tiranë.”

 

 

QYTETARËT

 

“Nuk përballohet dot se ne jemi në pension. Çmimet kanë kaluar Evropën, jemi të falimentuar. Pensionisti është i mbaruar këtu në Shqipëri.”

 

Rritja e karburanteve vjen në të njëjtën linjë me rritjen e çmimeve për produktet dhe shërbimet e tjera.

 

Operatorët e tregut thonë se tendeca e shtrenjtimit është vetëm në rritje ndërsa parashikohet se çmimi mund të arrijë edhe në 200 lekë për litër.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re