Kryetari i PD Lulzim Basha ka shfrytëzuar ndryshimet ne ligjin për pastrimin e parave për te akuzuar qeverinë  se nuk ka vullnet për te luftuar këtë fenomen.

 

Basha ka ilustruar këtë akuze me përgjimet e publikuara pak jave me pare ne lidhje me biznesmenin Rezart Taçi, i cili është shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare për akuzën e pastrimit të parave, duke theksuar se kjo qeveri nuk do ta luftoje pastrimin e parave

 

LULZIM BASHA

KRYETAR I PD

 

“A mund të jenë këta që jo më pak se 2 javë përpara dolën prapë në përgjimet e anti-mafias italiane, këtë herë me një tjetër organizatë mafioze, po kaq të rrezikshme sa është Ndragheta, Cosa Nostra, si garantët e një operacioni të pastrimit të parave, për të cilin merrej si i mirëqenë bashkëpunimi i zëvendës kryeministrit dhe drejtuesit të Drejtorisë të Pastrimit të Parave, autorët të iniciativave parandaluese dhe ndëshkuese? Asnjëri prej jush që përgjatë këtyre viteve ka toleruar, ka inkurajuar, ka nxitur dhe ka përfituar nga pastrimi i parave të pista, nuk mund të jetë garanti i luftës kundër pastrimit të parave të pista.”

 

Sipas Bashës, sektori i ndërtimit po përdoret për pastrimin e parave në vend duke cituar një raport, i cili vë në dukje se gjatë viteve 2017-2019 janë pastruar në aktivitetin e ndërtimit rreth 1.6 miliardë euro, para të pista.

 

“Asnjë nga institucionet përgjegjëse nuk e vë ujin në zjarr, nuk pyet, nuk heton, nuk monitoron këto leje ndërtimi që u jepen kompanive fantazmë, sepse askush nga këto institucione nuk bën punën minimale, nuk ndjek paranë. Kjo omertà institucionale, ky kod heshtje që i përketë mafies dhe subjekteve të saj, zbulon si fajtorë të gjithë ata që kanë detyrën të mos e lejojnë Shqipërinë të kthehet në një parajsë për pastruesit e parave dhe miqve të tyre në politikë.”

 

Akuzat më të forta Basha i ka drejtuar ndaj Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit.

 

 

“Fundi i kësaj omerta-je, e përsëris dhe do ta përsëris derisa SPAK qilimkuqit t’i dalin për së mbari kicat, pret që drejtësia të mos fshihet pas gishtit, por të hapë sytë e të veprojë sipas ligjit. Nuk është e vështirë. Mjafton të ndiqni paratë, mjafton një xhiro në këmbë në Tiranë, të zbrisni nga makinat tuaja të blinduara, të ngrini kokën lart, e teksa ju merren mendtë nga katet që mezi numërohen më sy të lirë, t’i shtroni vetes tuaj pyetjet që çdo qytetar i këtij vendi i bën vetes kur sheh që kullat mbijnë si kërpudhat pas shiut të parave të pista.”

 

Në emër të mazhorancës, Taulant Balla hodhi poshtë pretendimet e opozitës, duke e ftuar PD të votojë ndryshimet që parandalojnë pastrimin e parave.

 

Por si rrallëherë Balla kritikoi edhe qeverinë, e cila sipas tij është vonuar ne hartimin e akteve nënligjore.

 

TAULANT BALLA

KRYETAR I GRUPIT PARLAMENTAR, PS

 

“kemi futur në ligj në vitin 2019 parimin e gjobës. Nëse luli me Toyota yarisin sic thote saliu do sillte 5 milion, me parimin e gjobes  qe kemi future,  nese personat që bënë fushatë ne laprake per pd që ishin personat qe moren parate me Toyota yarisin , duhet te paguanin deri ne 50% te shumes gjobe thote ligji. Por ligji nuk zbatohet se qeveria nuk ka nxjerre akte nenligjore.”

 

Që prej moment që akuzat për “Toyota Yarisin” po artikulohen kundër Bashës edhe nga ish-kryeministri Sali Berisha, Partia Socialiste e ka futur këtë çështje në diskutimet e saj politike, e Taulant Balla nuk ka nguruar t’i sugjerojë Bashës ta padisë parardhësin e tij në gjykatë për shpifje.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re