Enkelejd Alibeaj ka sqaruar në Radarin Informativ me gazetaren Jonida Shehu se si do bëhet analiza brenda Partisë Demokratike pas humbjes së PD në zgjedhjet e 25 e Prillit. Alibeaj tha se analiza nuk ka për qëllim të kthehet në gjyq por për të nxjerrë mësime nga rezultati i zgjedhjeve.

“Për një parti të madhe si është PD bën sens që të bëhet një analizë reale e domosdoshme. Është një kulturë që duhet të bëhet edhe nga partitë e tjera. 25 prilli ka nxjerrë disa konkluzione të mëdha për rezultatin që qe një masakër e pastër zgjedhore.

Momenti i analizës për të mos qenë një gjyq. Analiza ka një synim tjetër, Mediatikisht, është krijuar një panoramë e plotë për atë që ndodhi në 25 prill. Shtetin e shndërroi në një ushtri dhe armatë elektorale. Ajo që është më e rëndësishme është kjo”, tha Alibeaj.

Ai u shpreh se PD duhet të perfeksionohet për t’i ballë çdo sfide në të ardhmen. “Në anën tjetër PD duhet të perfeksionohet për t’i bërë ballë në të ardhmen. Çdo strukturë e PD do i nënshtrohet analizës. Strukturat do të shprehin si e kanë parë ata angazhimin apo ndoshta dhe mangësitë e tyre në një dialog që është i hapur. Mendoj se kjo është mënyra më e mirë për të gjetur perfeksionimin. Drejtuesit politikë do i nënshtrohen kësaj analize. Dini proces më të mire analize se votimi?”, deklaroi ai.

Faza e parë e analizës tha Alibeaj, do të mbështetet në arsyet pse u arrit dhe pse nuk u arrit objektivi i PD në disa më 25 prill. Ai u shpreh se selia blu nuk do bëjë “gjueti shtrigash” për të përjashtuar ata që nuk arritën objektivin në zgjedhje por shtoi se do marrë jetë fjala meritokraci.

“Faza e parë: Strukturat e partisë do të flasin. Deri në datën 1 korrik. Para çdo gare elektorale vendoset objektivi me të cilin matesh, Rezultatin aktual ne e kemi në të gjithë republikën. Ata që kanë arritur objektivin kanë të drejtë të thonë arsyet që përdorën për të rritur rezultatin. Ata që nuk e arritën objektivin kanë të drejtën të thonë që ishte për shkak të mos angazhimit tonë apo arsye të tjera. Do thonë nëse ka ndodhur që janë shpërndarë para. A ka ndodhur të ketë pasur kriminelë. Do e thonë ata.

Nga ana tjetër, duhet të dini se ky përshkrim në degë dhe në qendrën e PD ka pasur mekanizma që e kanë monitoruar gjendjen në totalin e tyre. Kjo besoj do na çojë në modelet e mira. Ne nuk do bëjmë gjueti shtrigash. Ne nisemi nga ideja për të gjetur shkaqet reale të këtij rezultati. Nëse ndodh që drejtues të caktuar kanë pasur mundësi por nuk i kanë shfrytëzuar, gjatë muajit shtator pasi të ketë përfunduar e gjithë analiza, në funksion edhe të shkrirjes apo hapjes së dyerve ndaj publikut do ketë mundësi edhe për të angazhuar më të mirët e më të mirëve.

Partia Demokratike është shtëpia e të gjithëve. Por fjala “meritokraci” do marrë jetën. Analiza thelbin e ka të nxjerrë të vërtetën në shesh për angazhimin e secilit. Unë besoj që në situate të rëndësishme njerëz që marrin përgjegjësi të mëdha për t’i bërë ballë të keqes duhet të jenë në krye të punëve”, theksoi Alibeaj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re