Kreu i PD, Lulzim Basha zbulon në emisionin ‘’Kjo Javë’’ të Nisida Tufës në News24 periudhën se kur shkroi librin e tij ‘’Misioni im’’.

Ai thotë se libri është produkt i 2-3 muajve të parë të pandemisë, ndërsa në muajt e verës iu rikthye sërish e më pas u përgatit botimi.

Basha thekson se për librin ka folur me disa miq, jo direkt, teksa në fillim ishte i pasigurt për ta shkruar.

Pyetja: Pra, e keni shkruar në kohën e izolimit ndoshta, gjatë pandemisë?

Lulzim Basha: Le të themi pjesa më e madhe është konceptuar gjatë kohës të muajve të parë të pandemisë. Muajt e verës më kanë dhënë një mundësi t’i rikthehem dhe pastaj është bërë gati për botim.

Pyetja: Pra ka qenë me faza të ndërprera, por në total sa ka qenë puna përfundimtare?

Lulzim Basha: Do të thoja që thelbi, esenca e asaj që kanë sot në duar lexuesit e librit është produkt i dy tre muajve të parë të pandemisë.

Pyetja: A është dikush me të cilin ju jeni konsultuar për të nisur këtë libër? Paçka idesë që keni patur, me kë jeni konsultuar?

Lulzim Basha: Padiskutim kam folur me disa miq, jo direkt, se me thënë të drejtën nuk isha i bindur në fillim që ishte diçka që do të mund ta çoja deri në fund për shkak të presion që kisha edhe gjatë kohës së pandemisë. Ka qenë një kohë me angazhime të shumta politike, ju e mbani mend, pavarësisht se vendi u mbyll për dy muaj, sfidat ishin të mëdha, edhe detyrat e mia si kryetar i opozitës ishin të përditshme, të përdorshme do të thoja. Kështu që ndërkohë që flisja me disa miq, një rreth të ngushtë miqsh, doja në radhë të parë të isha i sigurt që ajo që do të dilte do të ishte jo thjesht një rrëfim por diçka më shumë, një thirrje, një mision ndaj shqiptarëve për të bërë të mundur kapërcimin e dëshpërimit që u shumëfishua në ato muaj. Të plogështisë, te mungesës së besimit dhe të dyshimtë në të cilin është parë dhe po shihet politika. Dhe hapjen e një dritareje për ta parë politikën ndryshe ashtu siç në fakt ajo është themeluar si institucion që me nisjen e civilizimit si një instrument për të përmirësuar jetën e njerëzve. Jo si një shfaqje e madhe që okupon çdo hapësirë publike, që ndrydh apo trysnin mendjet e njerëzve, sidomos tani në kohën e masmedias dhe medias sociale. Por si një instrument që lehtëson jetët e njerëzve, lehtëson ekonominë dhe përpiqet ta përmirësojë sa më shumë jetën e individit.