8500 domaine dhe linqe të mbyllura nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP); 481 të arrestuar dhe mijëra të përfshirë.

Ky është bilanci i tre viteve të fundit, që pas hyrjes në fuqi të ligjit që bllokonte ushtrimin e aktivitetit të lojërave të fatit.

Persona të ndryshëm, gjetën rrugë alternative për të vijuar punën, edhe pse ilegalisht.

“Përpos mbylljes fizike të pikave të basteve sportive dhe lojërave të fatit nga qeveria u ndërmor edhe nisma përmes AKEP-it që të mbylleshin edhe të gjithë domeinet përmes të cilave luheshin elektronisht bastet sportive”, thotë Igli Tola, pedagog në Fakultetin Ekonomik të Tiranës.

Ai thotë se është gati e pamundur që të mbikëqyren web faqet të cilat ndryshojnë IP-të.

“Kjo është një ndërmarrje nga ana e qeverisë gati, gati e pamundur, pasi AKEP-i ka kontroll dhe ka juridiksion vetëm mbi domeinin ‘.al’. ne e dimë shumë mirë që shumica e këtyre web faqeve që luajnë shqiptarët lojëra elektronike janë domeine me IP të huaja, pra janë kompani të regjistruara jashtë.

Madje ata për të mos lënë gjurmë për autoritetet policore dhe autoritetet tjera kombëtare të mbikëqyren dhe përndiqen, shpeshherë bëjnë edhe ndryshimin e adresave dhe IP-ve në kohë shumë të shpejtë që mos të ketë mundësi të gjurmohet një aktivitet dhe më pas të zbulohet i gjithë rrjeti përmes të cilit luhet”, thotë Igli Tola.

Tre institucionet përgjegjëse, Policia e Shtetit, Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të fatit dhe AKEP, pavarësisht konstatimeve të deritanishme, pranojnë njëzëri që një fenomen i tillë është i vështirë për t’u parandaluar.

“Që nga janari i vitit 2019 me ndryshimet ligjore siç përmendet edhe ju, si dhe me saktësimin e sanksioneve penale në ngarkim të personave të cilët kryejnë këtë veprimtari të paligjshme mund të themi që vijon ende të jetë actual një fenomen shqetësues për shoqërinë si dhe për strukturën e Policisë së Shtetit pasi edhe zhvillimi i teknologjisë ka bërë të mundur që kjo veprimtari kriminale të kryhet në mënyra të ndryshme dhe të thjeshta pasi mjafton një pajisje elektronike me lidhje interneti dhe një person mund të ushtrojë krejt kollaj këtë lloj veprimtarie”, thotë Klejda Çoça, specialiste e krimit ekonomik në drejtorinë e policisë në Shkodër.

Unpublished zbërtheu skemën e funksionimit të basteve të jashtëligjshme.

Mjafton një smartphone, një llogari apo thjesht edhe vetëm një mik që ka dijeni për ekzistencën e një baze ku vihen baste, dhe mund të luash njëlloj si më parë.

Këto 3 vite shërbyen për të treguar se kjo veprimtari e paligjshme ka nevojë për të tjera ndërhyrje rrënjësore se sa thjesht dhe vetëm heqja e disa makinetave. (Euronews Albania)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re