Ndërhyrje e suksesshme e MZSH Bashkia Berat në lagjen “10 Korriku”
Drejtoria e Shpëtimit, Bashkia Berat, u njoftua ditën e sotme për një incident të ndodhur në lagjen “10 Korriku”, pranë Kishës së Shën Thanasit. Një mjet me targa të huaja, në të cilin ndodheshin dy turistë me kombësi arabe, kishte dalë nga rruga për shkak të lagështirës së shtuar në zonë.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, ekipi i ndihmës u nis drejt vendngjarjes dhe ndërhyri me profesionalizëm për të nxjerrë mjetin dhe turistët nga terreni ku kishin mbetur të bllokuar. Për fat të mirë, nuk pati dëmtime fizike për personat dhe as dëmtim në automjet.
Falënderojmë qytetarët për njoftimin në kohë dhe stafin tonë për reagimin e shpejtë. MZSH Bashkia Berat mbetet e angazhuar 24/7 për sigurinë dhe ndihmën ndaj qytetarëve dhe vizitorëve të qytetit tonë.