MSHMS garanton sezon turistik të sigurt dhe të shëndetshëm me 36 Qendra Shëndetësore Verore
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS) edhe këtë vit ka marrë masa për të garantuar një sezon turistik të sigurt dhe të shëndetshëm për pushuesit dhe turistët e huaj që zgjedhin të kalojnë pushimet në Shqipëri.
I gjithë sistemi shëndetësor, nga Thethi në Ksamil, do të jetë në gatishmëri gjatë gjithë sezonit veror, për të siguruar ofrimin e shërbimeve në kohë dhe sa më pranë turistëve.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, së bashku me Ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, dhe Kryetarin e Bashkisë Berat, Ervin Demo, prezantuan në Berat programin e Qendrave Shëndetësore Verore, përfshirë Qendrën e re Shëndetësore në Kalanë e Beratit.
Ministrja Koçiu, gjatë fjalës së saj, theksoi masat e marra nga të gjitha strukturat shëndetësore në vend për mbarëvajtjen e sezonit turistik:
“Të gjitha strukturat duhet të jenë të përgatitura për të përballuar emergjencat dhe situatat e papritura që sjellin çdo vit 700–800 mijë deri në 1 milion vizitorë. Në të gjithë vendin situata është e njëjtë. Spitalet, Urgjenca Kombëtare dhe e gjithë infrastruktura jonë shëndetësore nuk i shërbejnë vetëm 2.5–3 milionë rezidentëve, por edhe nevojave që lindin gjatë vizitës së 12–15 milionë turistëve.”
Ministrja u shpreh se, me rritjen e fluksit të turistëve dhe me qëllim ofrimin e shërbimeve sa më pranë qytetarëve, edhe këtë vit do të funksionojnë Qendrat Shëndetësore Verore.
“Një vit më parë, falë zgjerimit të hartës dhe zgjatjes së kohës së qëndrimit hapur nga 3 në 4 muaj, numri i pushuesve që përfituan shërbime në qendrat verore u rrit nga 55 mijë në 80 mijë. Rreth një e treta e tyre ishin pushues të huaj. Duke u bazuar në këtë përvojë të suksesshme, do të vijojmë të ofrojmë shërbim nga Thethi në Ksamil e në të gjitha pikat më të frekuentuara turistike të vendit.”
Koçiu nënvizoi se nga 1 qershori deri më 30 shtator 2025, do të jenë në funksion 36 qendra verore — numri më i madh ndonjëherë — të pajisura me mjetet e nevojshme për dhënien e ndihmës së parë dhe ndërhyrjeve jetësore.
Gjithashtu, ajo bëri të ditur se tashmë është përzgjedhur dhe trajnuar personeli mjekësor që do të ofrojë shërbim me profesionalizëm:
“Pas një procesi të gjatë rekrutimi, u përzgjodhën me sukses 295 profesionistë që do të ofrojnë shërbim të pandërprerë në 36 qendrat shëndetësore. Kemi gati ‘300 spartanë’ — mes tyre 93 mjekë, 129 infermierë, 49 shoferë ambulancash dhe 24 sanitarë — që vendosen në vijën e parë të frontit në zonat më të frekuentuara të vendit.”
Në përfundim të fjalës së saj, ministrja Albana Koçiu theksoi:
“Të gjitha këto kapacitete shtesë forcojnë sistemin tonë shëndetësor, por nuk janë të vetmet në mbështetje të pushuesve. I gjithë sistemi ynë shëndetësor, përfshirë qendrat spitalore, spitalet rajonale dhe bashkiake, si dhe 400 qendra shëndetësore tërësisht të rinovuara, i përgjigjen realitetit të një turizmi që nuk zhvillohet më vetëm në disa pika apo vetëm për 2–3 muaj, por është aktiv në të gjithë territorin gjatë gjithë vitit.”
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, tha se:
“Në Shqipëri kemi pritur 5 milionë vizitorë — 1 milion më shumë se në vitin 2023. Vetëm për periudhën 1 janar – 30 prill, kemi 7–8% më shumë vizitorë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.”
Ndërkohë, Kryetari i Bashkisë Berat, Ervin Demo, u shpreh:
“Jam shumë i lumtur që do të kemi një Qendër Shëndetësore në kala, jo vetëm për qytetarët vendas, por edhe për ata qindra mijëra vizitorë që e vizitojnë kalanë gjatë kësaj periudhe.”