Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar vaksinimin e detyrueshëm në vendin tonë, teksa tha se është e afërt dita që të gjithë personat që nuk pranojnë të vaksinohen do të ndeshen me penalizim.

Të parët që paralajmëroi Rama janë nënpunësit e shtetit, personat që shërbejnë në dyqane apo vende të mbyllura, ku tha se nuk mund të lejohen që të hyjnë në këto ambiente.

Pjesë e paralajmërimit të Ramës ishin dhe studentët, që sipas tij nuk do të lejohen të hyjnë në auditore, edhe pse kjo u shkel njëherë që në nisje të vitit të ri akademik.

“Mirë, siç besoj që e patë dhe ma ha mendja që ta transmetoni siç ndodhi, me zgjedhje të rastësishme nga dy vullnetarë që dolën këtu. Nuk e kuptoj se si në shekullin e 21 nuk i besohet shkencës por delirantëve. Si ka mundësi që kjo të jetë në lojë në kurriz të të gjithë planetit, dhe asnjë media e botës nuk flet? Iu është mbyllur goj, dhe iu është hapur atyre që nuk kanë asnjë lidhje me shkencën, humanizmin apo shëndetin publik.

Po flasin pro vaksinës të gjitha akademitë e botës, dhe janë kundër vaksinës një lumë njerëzish nëpër rrjet. Kjo është fyese. Austria është mbyllur komplet, vendet e tjera po marrin të gjitha masat, duhet të jemi të qartë për një gjë, që ne nuk mundet që ta lëmë këtë situatë për rrjedhje të lirë.

U them atyre që janë nënpunës të këtij shteti që të vaksinohen, pasi do të vijë momenti që do të ndalohen që të shkojnë në punë, dhe nuk do paguhen nga taksat e shqiptarëve. Iu them atyre që kanë të bëjnë me hapësira të mbyllura, se mund të vijë momenti që do të mbyllet dyqani nëse nuk janë të vaksinuar”, u shpreh Rama.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re