Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca ka reaguar pas betimit të anëtarit të gjashtë të Gjykatës Kushtetuese, që solli edhe vënien në funksion të kësaj të fundit.

Në një postim në rrjetet sociale. Soreca e cilëson si arritje të konsiderueshme dhe se përgëzon Përparim Kalon dhe i uron punë të mbarë atij dhe anëtarëve të tjerë të gjykatës.

“Sot z. Përparim Kalo është betuar te Presidenti Ilir Meta si anëtari i 6-të i Gjykatës Kushtetuese. Ne e përgëzojmë dhe i urojmë punë të mbarë atij dhe të gjithë anëtarëve pasi Gjykata tani është funksionale, një arritje e konsiderueshme”, shkruan Soreca.

Pas mbi dy vitesh në ngërç, Gjykata Kushtetuese u bë funksionale, pasi Presidenti firmosi dje emërimin e anëtarit të gjashtë.

Ai do të jetë Përparim Kalo, ndërsa Aleksandër Toma u skualifikua nga lista, që KED i çoi Presidentit ditën e mërkurë. Vendimi u firmos brenda pak orëve nga kreu i shtetit. Gjykata Kushtetuese aktualisht ka gjashtë anëtarë; Vitore Tusha, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji, Altin Binaj dhe Përparim Kalo.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re