Banorët e pallatit në ndërtim që ka çuar në plagosjen e tre personave në rrugën “Ndre Mjeda” në Tiranë, kanë dalë sërish sot në protestë, edhe pse biznesmenët Albert Allmuça dhe Sino Llanaj gjenden pas hekurave.

Banorët kërkojnë vazhdimin e punimeve në apartamentet dhe dyqanet që ata kanë parapaguar, pasi kontratat janë të rregullta dhe ligjore. Pas shumë ditëve qendresë një pjesë e banorëve janë lejuar për herë të parë që të hyjnë në banesat që kanë paguar, dhe që ende nuk kanë përfunduar punimet.

“Deri në njëfarë periudhe ne jemi lejuar që të hyjmë në banesat tona dhe të vazhdojmë vetë punimet, në momentin që hyri sherri mes tyre ne nuk jemi lejuar që të hyjmë aty. Ne figurojmë të panjohur për njërin nga biznesmenët, kemi firmosur një kontratë prenotimi që në vitin 2016, dhe që duhej të përfundonte në vitin 2019, ndërsa tani ndërtimi është shtyrë deri në vitin 2022”, shprehet një prej banorëve.

Qytetarët këmbëngulin se në këtë pallat janë ndjekur dy standarde, pasi një pjesë e banorëve janë futur në banesa, edhe pse godina ende nuk është kolauduar, siç e parashikon ligji. Sipas qytetarëve, banorët që kanë parapaguar te Sino Llanaj nuk lejohen të hyjnë në banesë, dhe kjo bëhet në shkelje të hapur me ligjin.

“Ndërtimet e Sinos janë ndërprerë, objekti që kemi përballë është ende kantier ndërtimi, ndërkohë që po të kthesh kamerën sheh që aty ka banorë që jetojnë. Është shkelje e drejtpërdrejtë e ligjit, ai punëson kompani të fortësh dhe nuk na lejon që të hyjmë brenda, për banorët nuk mund të përdoret standard u dyfishtë. Ne kërkojmë që të mbarojnë sa më parë punimet, pastaj ata çfarë të duan të bëjnë në gjyqe, ti ndajnë si të duan paratë. Ne duhet të kishim marrë banesat që në Tetor të 2019-tës, dhe e kanë çuar tani në 2022shin. Ne na kushton kjo shtyrje pasi ne jemi me qera”, shprehen banorët.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re