Blegtoria, bujqësia dhe bletaria – tre shtylla të rëndësishme të agroturizmit

Fenomeni i agroturizmit lindi në Francë në formën e akomodimit rural. Fillimisht i përfshirë ishte mëngjesi, më pas e përfshirë dhe dreka, derisa u afrua me format që kemi dhe sot. Në Itali është zhvilluar vetëm në fund të viteve 60, si një mënyrë e njerëzve të qytetit për të qenë në kontakt me natyrën dhe për të konsumuar produkte të kultivuara direkt në vend. Mori shkas nga Franca, ku u zhvillua 10 vite para “Agriculture et Tourisme” (bujqësi dhe turizëm). Në këtë kohë lind dhe shoqata e parë e bujqësisë dhe turizmit, me qëllim promovimin turistik të ambientit bujqësor. Agroturizmi filloi të rritej me hapa të shpejtë si një nevojë e vazhdueshme për të qenë në kontakt me natyrën. Më pas iu shtuan dhe disa sporte të veçantë, si : trekking, hiking, etj.
Sot në Itali janë më shumë se 25 000 agroturizme.
Hapja e një agroturizmi është patjetër i lidhur me pasionin për fshatin, me dashurinë për natyrën, për ushqimin e mirë dhe ruajtjen e traditës së zonës.

Agroturizmi në Shqipëri

Vitet e fundit ka filluar dhe në vendin tonë zhvillimi i agroturizmit. Anë pozitive është se të gjithë e kanë të qartë se çfarë duhet të pasqyrojë realisht një agroturizëm dhe cili është qëllimi i vërtetë. Turistët duhet të konsumojnë produktet të rritura në vend, në territorin e agroturizmit ose të marra po në atë vend, duke ruajtur traditën bujqësore dhe blegtorale të zonës.
Përgjithësisht funksionojnë me menu fikse, duke u munduar të shërbejnë produkte të zonës.
Çdo zonë duhet të shërbejë me produktet e saj, duke filluar që nga pjata e parë dhe deri te ëmbëlsira dhe frutat.
Menuja ndryshon shpesh, duke ndjekur ritmin e stinëve dhe disponueshmërinë e produkteve. Nuk është e pazakontë të gjesh specialitete ose pjata rajonale, që kanë rrënjë të thella në historinë dhe kulturën lokale.
Ky është një trend që po zë vend edhe në restorantet tradicionale dhe jo tradicionale. Në fakt, si kërkimi i identitetit lokal, ashtu edhe propozimi i produkteve të stinës po marrin një rol të rëndësishëm për t’u diferencuar nga propozimet e kuzhinës së rrjeteve të mëdha të restoranteve.
Atmosfera në një restorant agroturizmi është shpesh rustike, intime dhe e ngrohtë. Mobiljet priren të pasqyrojnë thjeshtësinë dhe bukurinë e peizazhit rural, me elementë dekorimi të tillë si druri natyral, guri dhe pëlhura tradicionale, por edhe me rekuizitën që imiton jetën rurale.
Ky ambient krijon një përvojë ngrënieje që është njëkohësisht kënaqësi qe mbetet gjatë në kujtesën e çdokujt.
Agroturizmi është i lidhur ngushtë me bujqësinë dhe blegtorinë.

Nuk mund të mendohet një agroturizëm nëse nuk ka bujqësi të zhvilluar dhe organike.
Nuk mund të kemi agroturizëm elitar nëse nuk punohet toka, sepse çdo turist viziton një vend për t’u njohur me ushqimet e zonës dhejo vetëm me to, por edhe me veçanësitë e kësaj zone, si nga pikëpamja kulinare apo jetësore, ashtu edhe nga pikëpamja kulturore dhe e traditave.
Fatmirësisht, vendi ynë ka akoma ushqime të shijshme që tërheqin mijëra vizitorë çdo vit, duke e kthyer Shqipërinë në një destinacion të bukur, por dhe destinacion të ushqimit bio dhe organik.
Agroturizmet duhet të bashkëpunojnë ngushtë me vendasit, për t’u marrë të gjitha produktet e prodhuara, duke u krijuar një zinxhir i mirëfilltë bashkëpunimi midis tyre.
Duhet të përzgjidhen me kujdes disa nga produktet ku duhet të mbështetet restoranti i agroturizmit, me qëllim që turistët të jenë në qartë se çfarë ofrohet.
Blegtoria është një fushë e rëndësisishme e agroturizmit.
Kohët e fundit ndihet një mungesë e theksuar e mishit dhe bulmetit cilësor për shkak të uljes së numrit të bagëtive. Kjo si pasojë e braktisjes së profesionit të blegtorit, sepse konsiderohet si një sektor i vështirë.
Në fakt, sot është një nga sektorët me më shumë interes për të investuar, pasi çmimi i mishit dhe bulmetit është më i lartë se asnjëherë më parë.
Është koha t’u kthehemi profesioneve të trashëguara nga të parët tanë.

Bletaria si profesion me interes në rritje në kuadër të agroturizmit

Historia e agroturizmit në fushën e bletarisë fillon me një interes të rritur për të njohur dhe për të përjetuar jetën e bletëve dhe prodhimin e mjedisit rural. Kjo ka patur një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e turizmit rural dhe në mbrojtjen e bimësisë dhe faunës së zonave blegtore.
Në shekullin e 20-të, me zhvillimin e teknologjisë dhe urbanizimin, bletarët filluan të ballafaqoheshin me sfidat e reja, duke përfshirë konkurencën me importet, ndryshimet klimatike dhe humbjen e habitateve natyrore për bimësi dhe bletë. Për të sensibilizuar publikun për rëndësinë e bletarisë dhe për të mbështetur bletarët vendas, u zhvillua një trend i ri i turizmit rural që fokusohet në bletarësinë dhe prodhimin e produkteve të bletarisë.
Kjo lloj turizmi ofron vizitorëve mundësinë për të vizituar fshatra dhe ferma bletarësh, për të mësuar më shumë për jetën dhe punën e bletarëve, për të eksperimentuar prodhimin e mjedisit blegtor dhe për të shijuar produkte bletarie të freskëta si mjalti dhe produktet e tjera të bazuara në mjaltë.
Vendi ynë ka èasur njèe traditë të hershme të bletarisë, e cila për fat të keq ka pësuar rënie gjatë dekadave të fundit, për arsye nga më të ndryshmet, që lidhen drejtpërdrejt me bletarinë (përdorimi i pesticideve dhe lëndëve të ndryshme kimike në frutikultura e më gjerë, që shkaktojnë helmimin ose uljen e prodhimit të bletëve) apo edhe indirekte (siç është mos-subvencionimi i bletarëve, infrastruktura e munguar dhe emigrimi në masë i popullsisë).
Nëpërmjet agroturizmit në fushën e bletarisë, bletarët kanë mundësi të ndajnë pasionin dhe njohuritë e tyre me vizitorët, të promovojnë prodhimin lokal dhe të mbrojnë trashëgiminë kulturore dhe mjedisore të zonave blegtore. Në të njëjtën kohë, vizitorët përfitojnë një përvojë të re dhe të edukuar, duke përjetuar një pjesë të rëndësishme të kulturës dhe natyrës së një vendi.

Nga Alkest Shehu

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re