Njësia Speciale dërgohet në Jarinje për t’ua vendosur veturave nga Serbia “tabelat provuese”.

Mëngjesin e sotëm, Njësitë e Specializuara të Policisë së Kosovës janë pozicionuara në pikën Kufitare Kosovë – Serbi, konkretisht në Jarinje

Dhjetëra autoblinda të Policisë së Kosovës janë pozicionuar në vendin ku më parë ka qenë pika kufitare.

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës “ROSU” është parë duke shkuar drejt pikave kufitare në Veri. Kjo pasi është paralajmëruar se nga sot mund të nisë vendosja e “tabelave provuese” për veturat që hyjnë nga Serbia në Kosovë.

Ndryshe, me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, e cila u arrit në korrik të vitin 2011 në dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Sipas marrëveshjes, në Serbi mund të futen nga Kosova të gjitha veturat me targa KS, kurse ato me RKS duhet t’i ndërrojnë ato në kufi, duke marrë një letër të përkohshme që jep pala serbe.

Në anën tjetër, veturat me targa të Serbisë futen lirshëm pa procedura shtesë në Kosovë.

Këtë vit, Ministria e Brendshme e Kosovës ka njoftuar se do të hiqen nga qarkullimi të gjitha targat KS dhe veturat e Republikës së Kosovës do të bartin vetëm targat RKS./Gazeta Express

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re