Skip to content

Bllokohet Rruga e Arbrit, ish-deputeti i PD-së nxjerr pamjet: Qeveria e Showt, shpenzoi 350 milionë euro, makinat janë në kaos!

Vetëm disa orë pas inaugurimit, shfaqen problemet e para në Rrugën e Arbrit.

Sipas informacionit të marrë nga drejtuesit e mjeteve mbi 100 makina janë të bllokuara tek tuneli i Bypass-it në Qafë-Murriz si pasojë e bllokimit nga reshjet e borës, temperaturat e ulëta dhe ngricat në rrugë. Asnjë ndihmë akoma për qytetarët e mbetur në rrugë dhe nuk shihet asnjë borëpastruese apo punonjës policie për të bërë të mundur lëvizjen e automjeteve.

Për ngjarjen ka reaguar edhe ish-deputeti i PD-së, Xhemal Gjunkshi ka publikuar pamjet e bllokimit të Rrugës së Arbrit nga moti i keq që ka përfshirë vendin. Ai shprehet se me qindra qytetarë janë bllokuar në këto momente në aksin e sapo hapur, nga Tirana deri në Fshatin -Fshat (Klos).

“Bllokimi i Rrugës së sapo hapur të Arbrit krijon kaos dhe pasiguri. Me padurim e pritën sot Dibranët hapjen e Rrugës së Arbrit dhe ashtu sikurse shumëkush edhe unë si Dibran do doja të ndihesha i gëzuar që u arrit të hapej një segment i rrugës. Por, nuk mjaftuan vetëm disa orë nga inagurimi pompoz i 350 milionë Eurove të harxhuar nga taksapaguesit shqiptarë që kjo rrugë të bllokohej dhe të krijohet kaos. Me qindra qytetarë janë bllokuar në këto momente në aksin e sapo hapur, nga Tirana deri në Fshatin -Fshat (Klos).  Kjo është Qeveria e Show-ve e reklamave dhe tamtameve.  Qeveria të marre masa urgjente dhe të garantojë sigurinë e jetës të qindra qytetarëve, familjareve të cilët po qëndrojnë në kushte mjaft të  vështira të dëborës, ngricës dhe acarit” shkruan ai.

Pak ditë më parë ministrja e Infrastrukturës Balluku paralajmëroi se në momentin që do të ketë reshje dëbore “do të detyrohemi që të mbyllim pjesën e “bypass”-it, pasi është një rrugë provizore e ndërtuar deri në momentin që do të mbarojë tuneli i Murrizit”.

/faxweb