Sportet e rënda nuk po marrin ende dritën jeshile për rifillimin e aktiviteteve. Ndonëse një vit pa ndeshje zyrtare boksierët stërviten në një nga palestrat në Tiranë me shpresën se një ditë dhe ata do i kthehen normalitetit. Nelson Hysa, kampion i Shqipërisë prej shumë vitesh, kërkon ti kthehet vëmendja e munguar dhe këtij sporti i cili detyrimisht kërkon të praktikohet për të mbajtur formën.

 

NELSON HYSA / BOKSIER

“Ka qenë një periudhë e vështirë për ne që vetëm kemi bërë stërvitje dhe jo ndeshje zyrtare . Që një boksier të jetë në formën e tij më të mirë nuk i duhet vetëm stërvitja por duhet dhe ndeshja motivimi, garimi. Nuk e kuptoj pse boksit nuk i jepet drita jeshile kur nuk përben rrezik.”

 

I pyetur nëse e konsideron boksin sport të rrezikshëm, Hysa u përgjigj:

 

NELSON HYSA / BOKSIER

”Nuk mendoj kurrsesi që sporti jonë është një sport i rrezikshëm . E them këtë sepse ne nuk kemi kontakt direkt me kundërshtarin. Kemi punë vetëm me thesin e boksit dhe kur ndeshemi në garë jemi më doreza dhe nuk shoh arsye të ndalohet si sport për aq kohë sa jemi vendi i vetëm që nuk e zhvillojmë boksin.”

 

Edhe trajneri Sead Bushati është i të njëjtit mendim ndërsa thotë se ringu është shtëpia e tyre.

 

SEAD BUSHATI / TRAJNER BOKSI

“Forma e boksierëve është e mirë, kuptohet jo ajo që të gjithë prisnin . Po bëjmë mirë por garat janë shumë të rëndësishme për ne. Është e vështirë të motivosh një sportist kur mungojnë aktivitet kombëtare. Për mua bosi është art , ai që e praktikon e ka pasion dhe stërvitet për të fituar gjithmonë.”

 

Nga ana tjetër sekretari i federatës së boksit Enea Kovaci tregoi për Vizon Plus se është bërë cdo përpjekje të rifillimit të aktivitetit ndërsa sqaroi arsyet pse boksi duhet të fillojë.

 

ENEA KOVACI/ SEKRETAR I FEDEATËS SË BOKSIT

“Ne kemi bërë një kërkesë Ministrisë së Shëndetësisë dhe përgjigja që kemi marrë është negative. Boksierët përpara çdo sfide i nënshtrohen kontrollit, matjes së temperaturës analizave të gjakut që janë dhe dy faktorët kryesorë që tregojnë nëse je me covid19 apo jo.”

 

Si në çdo sport tjetër të rëndë, aktivitet kombëtare u ndërprenë në 9 mars kur u shfaq dhe rasti i parë me Covid-19.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re