Nga Erion Dasho

Sa herë del zbuluar me kontrollin e COVID-it në Shqipëri, kryeministri evokon “heroizmin” e mjekëve dhe infermierëve. Si atëherë kur u zu me presh në dorë duke manipuluar shifrat e vdekjeve, ashtu edhe sot me Tiren, çdo komenti kritik ai i bën bisht me frazën shabllon “Mjekët tanë janë heronj!”

Se ç’lidhje ka Tirja me “heronjtë” e kryeministrit, këtë mund ta argumentojë vetëm një mendje demagoge dhe manipulative!
Nuk është hera e parë që e shkruaj dhe e them: “Mjekët nuk janë heronj”! Në historinë e Shqipërisë kemi patur gjithsej dy apo tre heronj të vërtetë! Nën modelin sovjetiko-kinez, Enveri nisi të prodhonte “heronj” me shumicë duke përdorur si lëndë të parë traktoristët, shoferët apo fatkeqët që humbnin jetën në detyrë!

Në se dikujt prej kolegëve bluzëbardhë i pëlqen manteli i pamerituar i heroit dhe nuk arrin të bëjë paralelizmin midis vetes dhe mjelësve të Enverit, aq më keq për të!

I dashur Borat! Ti dhe qeveria jote i latë mjekët dhe infermierët në mëshirën e fatit! I paguat më keq se çdo koleg i tyre europian. Në shtatë vjet nuk u ngritët asnjë lek pagën; as edhe për indeksim! Sot çuditeni pse ka korrupsion dhe bëni sikur nuk e dini!

Informaticienët, kimistët dhe klarinestitët që ti caktove të drejtojnë shëndetësinë i keqtrajtuan dhe i dëbuan bluzat e bardha me turma drejt Gjermanisë, Italisë e vendeve të tjera! I lanë spitalet pa mjekë, pasi nuk e kanë idenë se për të arsimuar një mjek duhen 20-25 vjet dhe dhjetëra mijëra euro! Injorantët që vure ti në drejtim kaq dinin dhe kaq bënë! Kasaphanë me sistemin shëndetësor!

Sot Shqipëria nuk ka heronj! Ka Tire! Ka mjekë dhe infermierë të keqpaguar, të lënë pa pajisje diagnostike, pa medikamente dhe me duar bosh për t’u marrë me hallet e pacientëve! Gjatë pandemisë të lënë edhe pa pajisje mbrojtëse! Muret e spitaleve ama i kemi të lyer njëlloj si Europa! Herë pas here, ti bën estradë me mjekët duke i rreshtuar para klarinetistëve të tu sikundër i rreshton sivëllai yt Kim Jong-un! Mjaft më me talljen, nëpërkëmbjen dhe përdorimin e tyre si kukulla propagandistike!

Borat!

Lëri përrallat me heronj dhe shiko realitetin e mbushur me Tire! Deklaratat në media dhe statuset në mediat sociale flasin se Tiret janë kudo! Në çdo spital! Diku janë sanitare, diku tjetër koordinatorë! Jo rrallë, i kanë vënë përfund mjekët dhe infermierët! Heronjtë, pra…

Ky është modeli “Kap ç’të kapësh” që mbizotëron në shtetin tënd! Modeli ku pothuajse kushdo mundohet të shfrytëzojë postin për t’u pasuruar pavarësisht se shkel mbi ekonominë, shëndetin, madje edhe jetën e tjetrit!

Merr përgjegjësi për Tiret duke u kërkuar shefave të tyre, nga përgjegjësi i turnit dhe deri tek ministrja e shëndetësisë të largohen duke u kërkuar falje shqiptarëve, sepse, në vend që t’i shëronin nga COVID, i lanë në mëshirë të Tireve! Meqë ra fjala! Me kaq dështime sa ke patur, bën mirë të ikësh edhe vetë…

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re