Deputeti i PD, Bujar Leskaj pati një diskutim me Erion Braçen duke i thënë në Kuvend se mazhoranca nuk e mbështet në ato amendamente duke i propozuar kështu që të mos votonte paketën fiskale.

Leskaj i tha se me këtë veprim do i bënte një shërbim efikas të gjithë zgjedhësbe të tij, e duke shtuar se në 2007 ai vetë kishte votuar 16 herë kundër ligjeve të propozuara nga qeveria e asaj kohe.

Leskaj: Ju jeni i ndërgjegjshëm që mazhoranca nuk ju mbështet, ne dhe ju thjesht kalojmë, plotësojmë atë butaforinë. Meqënëse grupi nuk ti mbështet, unë ju sfidoj I dashur Erion, mos e votoni paketën fiskale se është një paketë gënjeshtrash. Me këtë ju i bëni një shërbim dhe zgjedhësve tuaj. Nga mesi i 2007 kur kam qenë deputet unë kam votuar 16 herë kundër ligjeve që sillte qeveria e asaj kohe.

Braçe ka prezantuar 10 amendamente në seancën plenare, taksë për vajin e palmës dhe një sërë kërkesash tjera pasi sipas tij skema 20 me 20 që u miratua në 2014 nuk po zbatohet më në sektorin e bujqësisë, gjë e cila ka shkaktuar mjaft probleme dhe dëme ekonomike.

Sot nuk ka fabrikë në Shqipëri që prodhon me qumësht pluhur, nëse ka kërkoj ndjesë. Legjislacioni jonë vajin e palmës nuk e takson, kam propozuar taksë dhe për këtë. Që qumështi pluhur dhe vaji i palmës të trajtohen njësoj.

Dua të pyes se cfarë ka ndodhur me qeverinë nga 2014 e deri më sot? Problemi është te bujku dhe te eksportuesi. Cfarë ndodhi me skemën 20 me 20, që u miratua në 2014”-theksoi Braçe në fjalën e tij.

Por çfarë parashikon paketa fiskale per buxhetin 2022 per bujqësine?

-Heqja e përjashtimeve nga TVSH-ja godet bujqësinë, qeveria merr mbrapsht 20 mln euro në vit

Duke marrë në konsideratë disa nga këshillat e FMN-së, Qeveria vendosi të marrë mbrapsht disa nga përjashtimet fiskale që kishte dhënë ndaj biznesit, shumica e tyre në sektorin e bujqësisë. Nga heqja e përjashtimeve fiskale, qeveria pritet të rikthejë në buxhet gjatë një viti rreth 2.5 miliardë lekë. Sipas projektligjit të ri për ndryshimet në TVSH, bëhen ndryshimet e mëposhtme.

1- Trajtimin me shkallë të reduktuar të TVSH-së prej 10% të furnizimit të inputeve bujqësore, siç janë plehrat kimike, pesticidet, farat dhe fidanët, përveç hormoneve të klasifikuar në kodet 2937 të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave nga zero për qind që ishin aktualisht.

2- Përjashtimin nga TVSH-ja për importimin e makinerive dhe pajisjeve në funksion të realizimit të kontratave të investimeve me vlerë të barabartë, ose më të madhe se 500 milionë lekë nga 50 milionë lekë që është aktualisht.

3- Zëvendësimin e normës së kompensimit të prodhuesit bujqësor prej 6% në 0%.

Ministria e Financave i arsyetoi ndryshimet me faktin se subjektet që ofrojnë furnizime me inpute bujqësore nuk mund të zbresin TVSH-në e paguar në blerjet brenda vendit dhe në import, të kryera në funksion të furnizimit të përjashtuar, ndryshe nga subjektet që kryejnë furnizime të tatueshme dhe mund të zbresin TVSH-në e paguar në blerje.

Ministria e Financave argumentoi se heqja e skemës së kompensimit të prodhuesve bujqësore do të zëvendësohet me subvencionim direkt të sektorit të bujqësisë, procedurë që është më e lehtë për t’u monitoruar dhe për t’u kontrolluar nga pikëpamja fiskale.

Me anë të këtij projektligji, propozohet që, norma e kompensimit të prodhuesit bujqësor të bëhet 0% nga 6% aktualisht. Kjo, pasi edhe nga zbatimi në praktikë i deritanishëm, mendohet se nga skema e kompensimit, prodhuesit bujqësorë objekt të kësaj skeme, nuk kanë marrë kompensimin sikundër është parashikuar dhe ka synuar kjo skemë, duke e bërë këtë të fundit jofunksionale.

(E.D/faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re