Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për integrim, Endrit Braimllari, ishte i ftuar këtë të enjte në emisionin “FrontLine”, të gazetares Marsela Karapanço. Ai foli gjatë për rezultatin e 25 prillit dhe të gjitha arsyet që e dërguan opozitën e bashkuar te humbja.

Sipas Braimllarit opozita duhej të ishte tepër e unifikuar për të mposhtur regjimin e pushtetit. Sa i përket nismës së Kuvendit të Shqipërisë, për të shkarkuar Presidentin Ilir Meta, Braimllari tha se pret përgjigjen përfundimtare të Gjykatës Kushtetuese, e këto zhvillime, i cilësoi si shpërqendrim ndaj “masakrës zgjedhore” të 25 prillit.

Ai gjithashtu u ndal dhe te shembja e Teatrit Kombëtar e trajtimin e saj nga Gjykata Kushtetuese.

Braimllari nënvizoi se është e vërtetë që me anë të një vendimi pozitiv nga Gjykata Kushtetuese nuk do të rikthehet teatri, por do të rikthehet sipas tij, dinjiteti i artistëve që e mbrojtën atë.

“Ne hymë në betejë për të rrëzuar këtë regjim. Në këtë betejë elektorale u godit vetëm LSI. Unë di të them që kemi qëndruar korrekt dhe punuam në terren. Kemi për të marrë vota për opozitën. Unë kur shkoja në terren dhe shihja që vota është e PD, nuk doja që ajo të vinte për LSI, thoja që vazhdo në PD. Kam informacione që brenda PD, ka pasur përpjekje për të marrë votën e LSI. Ne po bëjmë një analizë të situatës. Situata ndodhi, për shumë e shumë arsye. Ndodhi edhe që ajo që Kryemadhi tha, që gabuam në lënien e mandateve. Kjo ka ndodhur edhe për shkakun që LSI, u dha e tëra për aleatët. Duke dhënë gjithçka për të, duke mos ruajtur qëndresën e saj, siç ishte në 2017-ën. LSI luftoi kundër të dyjave dhe u rrit. Kemi nisur një analizë, do të jetë e shtrirë në kohë, do analizë të thelluar dhe ne të mos bëjmë gabime në parashikim. Nëse bashkëpunimi s’ka qenë i duhur në Korçë, kjo s’do të thotë që nuk ka ndodhur në të gjithë Shqipërinë. Ne jemi të kufizuar në deklarata të tilla, sepse s’duam të shpërqendrojmë vëmendjen nga masakra e 25 prillit. Pjesa e analizës që po bëhet është brenda LSI, beteja jonë është me masakrën e 25 prillit, që shqiptarët të jenë të qartë për atë çfarë ndodhi.

Aksioni i LSI do të jetë masakra zgjedhore. LSI do të ketë ridimensionim të jashtëzakonshëm. Bashkëpunimi kundër këtij regjimi është i domosdoshëm. LSI ka frymë pozitive. LSI duhet të gjejë ridimisionimin e saj, për të shkuar te qytetarët, me qëllim që të kemi rezultat pozitiv më të madh se në këto zgjedhje. Unë jam sekretari i Përgjithshëm në LSI, kam 15 vite aty, beteja do të vijojë. Do të jetë një LSI e jashtëzakonshme, që do të transmetojë shpresë në familjen e çdo shqiptari”,  tha Braimllari.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re