Skip to content

“Braktisi” vlonjatët pas 8 vitesh si deputet, Rama: Nuk ndahem me ta as sot, as mot

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë, pasi zgjodhi të mbante mandatin e qarkut të Durrësit, ndërsa thotë se Vlora do të mbetet gjithnjë pjesë e tij. Sipas Ramës, zgjedhja e Durrësit është bërë që ky qark të njohë një zhvillim të ri në mandatin e tretë të socialistëve.

“Vlora ishte, është dhe do jetë deri në fund në zemrën time, kështu që me mandat pa mandat, unë nga Vlora nuk ndahem as sot as mot, ndërkohë në mendjen time Durrësi është vendi ku Mandati i Tretë duhet të sjellë një hop të ri, jo vetëm për atë qytet po për krejt. Shqipërinë2030”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale.

Përmes një shkrese që i ka drejtuar KQZ-së, Rama ka bërë zgjedhjen e tij mes Durrësit dhe Vlorës, duke i hapur kështu rrugë futjes në Kuvend të Teuta Ramajt, e cila renditej në vendin e 9-të në listën e Vlorës.

Rama kishte deklaruar përpara zgjedhjeve që do të merrte mandatin e deputetin në qarkun ku do të votonin më shumë, dhe duket se zgjedhja e tij e padiskutueshme do të ishte Durrësi.

Kryeministri renditej i 8-ti në listën e Durrësit dhe Vlorës, ndërsa në qytetin bregdetar ishte deputet prej 8 mandatesh.

Më herët gjatë ditës së sotme, edhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi e bëri zgjedhjen e saj sa i takon qarkut që do të përfaqësojë në 4 vitet e ardhshme. Mes Tiranës dhe Fierit, Kryemadhi zgjodhi këtë të fundit, duke i hapur rrugën për të hyrë në Kuvend, Petrit Vasilit, i cili renditej i dyti në qarkun e Tiranës. (Lexo edhe ketu)

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb