Neritan Ceka,i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, është shprehur se në Shqipëri demokracia ka ekzistuar vetëm katër vjet dhe jo 30 vite pas rënies së komunizmit.Sipas Cekës, katër vitet e demokracisë i përkasin vetëm me nga një vit çdo kryeministri që nga Nano, Meta, Majko dhe Berisha, dhe jo më shumë .
“Historia e Shqipërisë është e vonë e shtetit, dhe vitet e demokracisë janë vite shumë të vogla. Nuk janë 30 vite. Unë mund të zgjedh vetëm katër vite demokracie gjatë kësaj kohe .
Ka qenë disa vite të Fatos Nanos, ndonjë vit i Metës, dhe ndonjë vit i Majkos dhe ndonjë vit i Berishës. Këto janë ato vite nga tërësia e viteve jo demokratike, apo rrumpallës, pra nga vitet ku ka funksionuar parlamenti, ka funksionuar elita, ka pasur mendim politik, ka pasur pranim të mendimit ndryshe në Parti, në qeverisje, në parlament. Vite që kanë ndryshuar Shqipërinë”, tha Ceka.
Gjithashtu Ceka u shpreh se Shqipëria nuk mund të formojë dot elita.
“Në të gjithë vendet ka elita. Kush ka qenë në SHBA, e di, e kupton që si vend fshatar, fermerësh që është, nga Nju Jorku deri në Kaliforni, por ai ka elitë. Demokracinë nuk e bëjnë katundarët apofermerët. Ne nuk formojmë dot elita, dhe ne luftojmë elitat.Këtu ka një masë të madhe njerëzish që e kanë pranuar kryeministrin si kryepronar skllevërish”, tha Ceka.
