6 orë debate në Partinë Demokratike pas humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit, patën vetëm një konkluzion hapjen e garës për postin e kryetarit të Partisë Demokratike. Zgjedhjet për liderin e partisë më të madhe të opozitës do të zhvillohen në 13 qershor, vetë Lulzim Basha do të jetë favoriti për mandatin e tretë në krye të PD; mesa duket deri tani pa e dhënë dorëheqjen nga ky post, edhe pse kjo iu kërkua me forcë gjatë mbledhjes së kryesisë.
FATBARDH KADILLI
ANËTAR I KRYESISE
“Nuk je i pazëvendësueshëm. PD ka shumë njerëz të mirë. Jep dorëheqjen e parevokueshme. Je humbës i përsëritur prej defekteve personale.”
Kadilli ishte i vetmi anëtar i kryesisë që kërkoi largimin e Bashës si përgjegjës për humbjen e zgjedhjeve. Por megjithatë vendimi për të hapur garën për kryetarin, nuk mori mbështetjen e të gjithë forumit. Oerd Bylykbashi, Enkelejd Alibeaj, Tomorr Alizoti, Eno Bozdo abstenuan gjatë votimit, pasi logjika politike e tyre për rrugën ku duhet të ecë PD ishte ndryshe nga shumica. Ata kërkuan që partia të fokusohet fillimisht tek manipulimi i zgjedhjeve, të bëhet analiza e procesit, të qartësohet aksioni i opozitës në raport me parlamentin e më pas të zgjidhet kreu i ri i PD.
Debatet më të forta u zhvilluan në këshillin kombëtar; ku zërat kritikë ndaj Bashës ishin më të fortë. Kryetari i këtij këshilli Bujar Nishani analizoi të gjithë shkaqet e humbjes së zgjedhjeve duke kërkuar largimin e Bashës, kërkesë e cila u mbështet edhe nga Arben Ristani.
BUJAR NISHANI
KRYETAR I KËSHILLIT KOMBËTAR
“E vetmja alternativë është nisja e një projekti të ri politik! Kam kërkuar dhe përsëris më së pari dorëheqjen e parevokueshme të Kryetarit të Partisë! Dorëheqja e parevokueshme e kryetarit është akt i përgjegjësisë politike, është akt i maturimit politik, është akt civilizimi, është sakrificë personale për t’i shërbyer interesit madhor të së ardhmes së partisë.
Është akti që verifikon se interesi i Partisë është mbi interesin personal të cilitdo individ që është kryetar.”
ARBEN RISTANI
ANËTAR I KËSHILLIT KOMBËTAR
“Kryetari ka thënë se po ma hodhe njëherë është faji yt, po ma hodhe dy është faji im. Tani meqë ta hodhi dy herë, ik. Ke humbur tre herë. Dhe një herë që fitove e dimë të gjithë si fitove. Le ta nisim analizën, por nuk ecet kështu. Vijnë zgjedhjet lokale dhe kam frikë se do humbasim prapë.”
Por përballë këtyre kritikave Basha u mbrojt me linjën e vjedhjes së votave.
LULZIM BASHA
KRYETAR I PD
“Zgjidhni dhe dua t’iu shoh të gjithëve në sy. Ose zgjedhjet janë të vjedhura dhe vazhdojmë në betejë, ose nëse për ju janë në rregull, atëherë unë jap dorëheqjen tani.”
Sipas vendimit të kryesisë dhe këshillit, çdo demokrat që dëshiron të kandidojë për postin e kryetarit të ri të Partisë Demokratike ka kohë deri të shtunën të shpallë zyrtarisht kandidaturën e të hënën e ardhshme fillon fushata elektorale brenda PD.
