Drejtori i rendit Publik Ylli Vasili thotë se respektimi i masave anti-Covid edhe në fushatën zgjedhore, ka të bëjë më shumë se me gjithçka tjetër, me ndërgjegjësimin qytetar. Në një intervistë për Fax News, drejtuesi i lartë në Policinë e Shtetit thotë se janë angazhuar dhe trajnuar mbi 7 mijë punonjës dhe drejtues të policisë për mbarëvajtjen e procesit.

“Ne kemi trajnuar dhe policinë poshtë në bazë që janë 6488 punonjës. Në fazën e parë përgatitore kemi trajnuar dhe policinë kriminale. Dhe sot eventualisht ne kemi përfunduar këtë fazë ku janë rreth 7519 punonjës policie të trajnuar”, tha Vasili.

Në lidhje me incidentet gjatë fushatës zgjedhore por edhe duke iu referuar historikut të zgjedhjeve të mëparshme, Vasili nuk preferoi të komentonte në mënyrë specifike, ndërsa tha se strukturat e policisë kanë marrë të gjitha masat e nevojshme.

“Deri tani nuk kemi zona që mund të paraqesin risk problematik në zgjedhje. Mbi bazën e programit të punës së miratuar gjatë fushatës zgjedhore, në të gjitha drejtoritë vendore janë krijuar grupet e detyrës punës, por deri në këto momente nuk ka patur asnjë problem ose të evidentohet një zonë me risk të lartë”, tha Vasili.

Sipas Vasilit, bashkëpunimi me OSBE-në por edhe me institucionet e tjera është në nivelet më të mira të mundshme. Teksa thotë se angazhimi i policisë do të jetë konkret pas publikimit të adresave të Qendrave të Votimit dhe Numërimit nga KQZ, ai u përgjigj edhe për zonat që paraqesin më tepër risk në lidhje me rendin publik

“Qysh në fillim të hapjes së fushatës vetë kryetari i OSBE-së ka marrë pjesë në mbledhjet me drejtorët më të lartë të Policisë së Shtetit, ku ka afruar ndihmesën e vet. Normalisht ka porositur dhe për rolin dhe detyrat që duhet të kryej policia e shtetit në paanshmërinë që duhet të ketë Policia e Shtetit”, shtoi Vasili.

Drejtuesi i lartë tha se policia ka ndërmarrë dhe do të ndërmarrë të tjera masa që të zhvillohet një proces zgjedhor sa më i qetë.

loading…

/faxweb