Ndonëse kërkesa për apartamente vjen në rënie, çmimet e njësive të banimit kanë ardhur gjithnjë e duke u shtrenjtuar që prej vitit 2013.

Ky treg nuk ka njohur dobësi as gjatë periudhës së pandemisë, edhe pse qytetarët kanë patur më pak të ardhura. Një tjetër statistikë e rëndësishme lidhet me faktin se 60% e pronave po blihen me kredi, raporton Ora News.

Që nga viti 2013 çmimet e apartamenteve kanë shënuar një rritje të ndjeshme edhe pse ndërtimet e reja shtohen çdo ditë.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë rritja në rang vendi prek shifrat e 48.6%, ndërsa vetëm në Tiranë raportohet në 46.7%.

Situata nuk ndryshon as gjatë pandemisë, kur ekonomia u godit rëndë dhe qytetarët u varfëruan për shkak të kufizimeve.

Banka raporton se gjatë vitit 2020 është reflektuar një rritje me 11% krahasuar me vitin 2019.

Kjo e ka bërë edhe më të vështirë për qytetarët që të arrijnë të blejnë një shtëpi dhe i ka detyruar ata të shkojnë drejt kredive.

Në raport thuhet se rreth 60% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar janë blerë me hua bankare.

Më shumë se një e treta ose 36% e ndërtesave rezulton që janë blerë nga emigrantë apo shtetas të huaj që investojnë në Shqipëri.

Rritja e çmimeve nuk është prezente vetëm në kryeqytet, por edhe në zonat bregdetare, ku çmimet e pronave të shitura gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2020, në krahasim me gjashtëmujorin e parë janë dyfish më të larta.

Por ndonëse çmimet vijnë gjithnjë e më shumë në rritje, paradoksi qëndron tek fakti se shitjet bien.

Banka e Shqipërisë vlerëson se shitja e apartamenteve apo pronave tregtare ka rënë me 5%, nga 44 që ka qenë në 39%.

Agjentët shprehen pesimistë për ecurinë e tregut në të ardhmen afatshkurtër por presin që situata të ndryshojë në vazhdim duke u reflektuar me rënie të çmimeve e rritje të kërkesës.

Sektori i ndërtimit është konsideruar nga raportet ndërkombëtare si një lavatriçe e parave të pista, çka ka sjellë një deformim të tregut dhe prishje të raportit kërkesë-ofertë.