I pyetur a duhet që Shqipëria të konsiderojë edhe vaksinat kineze dhe ruse, Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka deklaruar se qeveria duhet të shikojë gjithmonë sigurinë e vaskinave.
Sipas Presidenti, i cili ishte i ftuar në “RTV Ora”, në radhë të parë sigurinë e vaksinave e garantojnë institucionet evropiane, si dhe shtete të besueshme si SHBA, Kanadaja dhe vende të tjera.
“Qeveria jonë duhet të shikojë gjithmonë mundësinë e sigurisë së vaksinave, sepse kjo është kryesorja. Në këtë drejtim edhe transparenca është shumë e rëndësishme, edhe për ato vaksina që kanë ardhur.
Për të pirë një Coca-Cola nuk lejohet të dalë në treg, nëse në radhë të parë nuk jepen të dhënat se kur është prodhuar, datën e skadimit, vendi i origjinës, etj., sepse dikush mund të helmohet dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi për jetën e qytetarit.
Vaksinat mund të vijnë, por ato mund të kenë efekte të tjera, që mund t’i kushtojnë jetën qytetarit, ose mund të mos kenë fare efekt dhe qytetari mund ta pësojë nga Covidi në të ardhmen pasi mund të mos mbrohet më.
Siguria është e para dhe sigurisht sigurinë e vaksinës në radhë të parë e garantojnë institucionet europiane dhe institucionet e vendeve shumë të besueshme si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe vende të tjera,” deklaroi Meta.
(E.H/Faxweb.al)
/faxweb
