Disa të dhëna hetimore, të zbuluara së fundmi tregojnë se prokurorja Donika Prela ka blerë një apartament të ndërtuar nga kompania “Lim-Em”, me çmim gati sa gjysma e vlerës së tregut, vetëm tre javë pasi në zyrat e saj ishin marrë në pyetje pronarët e shoqërisë ndërtuese, dhe pasi njërin prej tyre e kishte mbajtur nën përgjim për 4 javë, në kuadër të procedimit penal që po zhvillohej ndaj ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Mesditën e 18 Qershorit 2018, vëllezërit A. dhe Sh. Beshiri, njëkohësisht pronarë të kompanisë ndërtuese, ngjitën shkallët e Prokurorisë për Krime të Rënda, e cila drejtohej nga Prela. Për disa orë, ata u janë përgjigjur pyetjeve të prokurorit të çështjes, në cilësinë e personave që kanë dijeni për faktet, mbi një transaksion të kryer me ish-kryeprokurorin.

Biznesmenët janë treguar të gatshëm të japin deklarimet dhe të gjithë sqarimet e tyre, pa e ditur se, për shkak të kontrate shit-blerje të kryer me Llallën në vitin 2016, njëri prej tyre ishte mbajtur në përgjim për shumë ditë, në periudhën Mars-Prill 2018.

Vetëm pak javë pasi biznesmenët u paraqitën në Prokurorinë për Krime të Rënda, e saktësisht në 9 Korrik 2018, Donika Prela dhe bashkëshorti i saj, Vangjeli, blenë një apartament me sipërfaqe rreth 130 metra katrorë, me një çmim prej 110 mijë eurosh, në një pallat të ndërtuar nga kompania “Lim-em”.

Godina gjendet pas shkollës “Ismail Qemali” në Tiranë, një ndër zonat më të shtrenjta në kryeqytet. Çmimet e tregut për apartamentet në atë zonë variojnë në vlerat 1300-1400 euro për metër katrorë. Por, çifti Prela u bë pronar i apartamentit për një çmim shumë më të ulët, rreth 800 euro për metër katrorë.

Dyshimet e ngritura më herët nga “Boldnews.al” për blerjen e këtij apartamenti, u morën fillimisht në konsideratë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i cili në fillim të vitit 2019 ishte në fazën përfundimtare të procesit të rivlerësimit kalimtar për Donika Prelën.

Gjatë seancës dëgjimore, prokurorja Prela paraqiti kundërshtitë e saj për dyshimet publike. Ajo tha para trupës gjykuese se apartamentin e kishte blerë nga shtetasit F.H dhe E.H.

Prela deklaroi para trupës së Vetingut se F.H. është biznesmen dhe ai ka blerë disa apartamente tek kompania ndërtuese “Lim-Em” që në vitin 2004, kur pallati ishte në ndërtim, të cilat i ka shitur më vonë.

Për t’u treguar bindëse, Prela ka deklaruar se ajo është vënë në dijeni për shitjen e apartamentit nga gazeta “Çelësi”, ku ishte publikuar njoftimi për shitjen e apartamentit 135 m2.

Në vendimin nr. 117, dt. 05.02.2019, me të cilin Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) konfirmoi në detyrë subjektin Donika Prela, thuhet shprehimisht se indicja për verifikimin e këtij rasti ka ardhur nga një denoncim publik, i cili lidhej me raportin ndërmjet prokurores dhe pronarëve të kompanisë ndërtuese.

Por, siç rezulton në vendimin e zbardhur, trupa e KPK-së ka shmangur marrjen në shqyrtim të të dhënave publike që e lidhin Donika Prelën dhe biznesmenët e “Lim-Em”.

Kjo situatë u anashkalua edhe nga vëzhguesi ndërkombëtar i ONM-së, Teo Jacobs, i cili nuk vlerësoi të rekomandonte apelimin e vendimit të konfirmimit të Donika Prelës, pavarësisht problematikave të shumta të konstatuara gjatë procesit të rivlerësimit.

Ndërkohë, Komisioneri Publik, që kërkon shkarkimin e Donika Prelës nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, ka konstatuar më së paku dy situata, në të cilat ish-drejtuesja e Krimeve të Rënda gjendet në të njëjtat kushte, për të cilat ka nisur hetim për Adriatik Llallën.

Komisioneri Publik ka konstatuar atë që kishte publikuar edhe më parë “Boldnews.al”, se Donika Prela dhe bashkëshorti i saj kanë blerë një apartament në Durrës, në vitin 2014, në shumën 1.4 milionë lekë, një vlerë shumë e ulët, krahasuar me kontratat e shitjes në të njëjtën godinë.

Për më tepër, bashkëshortët Prela e kanë shitur këtë apartament pas vetëm 10 muajsh, me një vlerë 3 herë më të lartë se sa e blenë, konkretisht 4 milionë lekë.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re