Damian Gjiknuri, i ftuar në emisionin “Në fokus” në Tv T, ka komentuar deklaratat e eksponentëve të opozitës, se do të ketë zgjedhje lokale, paralelisht me ato të përgjithshme. Gjiknuri tha se zgjedhjet lokale do të mbahen pas tre vitesh, “kur t’i vijë vakti”.

Ai u shpreh gjithashtu se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, cilido të jetë ai, nuk ka fuqi prapavepruese, ndaj nuk sheh ndonjë mundësi që zgjedhjet lokale të përsëriten, por Gjiknuri u shpreh se në bashkitë ku nuk ka kryetarë aktualisht, Presidenti duhet të dekretojë zgjdhje sa më parë.

“Në Bashkitë ku nuk ka kryetarë bashkie, zgjedhjet duhet të zhvillohen menjëhere. Këtë nuk e mban mazhoranca, kjo është çështje e Presidentit të Republikës, që duhet të dekretojë datën e zgjedhjeve. Nuk besoj se është në interesin e mazhorancës të lërë Shkodrën, Vorën dhe Durrësin pa kryetar bashkie.

Zgjedhjet vendore janë, sic thotë populli, kur t’i vijë vakti, pra pas tre vitesh. Ose nëse Gjykata Kushtetuese do të marrë ndonjë vendim, megjithatë vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk kanë fuqi prapavepruese, por ka një angazhim që gjykata të shprehet dhe për këtë gjë, nuk dua ta paragjykoj. Mandati i bashkiakëve është i përcaktuar në Kushtetutë dhe askush nuk mund ta lëvizë atë“, tha Gjiknuri.

/TPZ.al/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re