Subscribe
Debatet për ndryshimin i kufijve në Ballkanin Perëndimor i dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, i cilësoi si të rrezikshme për t’i përdorur si metodë për zgjidhjen e konflikteve.
Përfaqësuesi i BE-së u shpreh se këto ide sjellin pasoja të rënda.
MIROSLAV LAJCAK
I DERGUARI I POSAÇEM I BE-së
“E kundërshtoj fuqishëm këtë ide dhe mendoj se është ekstremisht e rrezikshme dhe një ide që shkakton luftë. Nëse e implementojmë këtë ide, do të realizonim ëndrrën e përbashkët të z.Millosheviç dhe Tuxhmanit dhe kjo nuk është diçka që ne duam ta bëjmë. Ka njerëz që besojnë se zgjidhja për Ballkanin vjen me rivizatimin e kufijve. Por kjo është ajo që dëshironte Millosheviçi, Tuxhman apo Stalini, dhe të gjithë e dimë se cilat ishin pasojat, ndaj nuk duhet të inspirohemi nga ajo ide.”
Lajcak ritheksoi rëndësinë e dialogut Prishtinë-Beograd, duke thënë se marrëveshja mes dy vendeve është e ndërlidhur me rrugëtimin e tyre drejt Bashkimit Europian.
“Kjo vlen po ashtu edhe për dialogun, sepse kjo është njëra nga prioritetet e të gjitha qeverive të zgjedhura si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, për shkak se e ardhmja dhe planet e tyre ekonomike dhe shoqërore, janë të gjitha të orientuara drejt Bashkimit Evropian. Dhe e vetmja rrugë drejt agjendës evropiane është përmes dialogut. Unë pajtohem me një reciprocitet i cili heqë barrierat por nuk pajtohem me një reciprocitet që ndërton mure të reja, gjë e cila po pengon në lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të kapitalit dhe të shërbimeve.”
I dërguari i posaçëm disa ditë më parë zhvilloi bisedime në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç, të cilat i konsideroi si takime me ide të qarta.