Zyra e shtypit e Komisionit Evropian në Bruksel hodhi poshtë pretendimet e kryeministrit të Shqipërisë për një rol të komisionerëve në zgjedhjet e 25 prillit.

Në një reagim për Euronews Albania, zëdhënësja për shtyp e KE, Ana Pizonero, theksoi se aktiviteti i sotëm ishte në nivel rajonal dhe pa asnjë ndikim në situatën politike shqiptare.

“Komisioni nuk komenton mbi komentet e palëve të treta. Lutemi të keni parasysh që Komisionerja Mariya Gabriel mori pjesë në Tryezën e 18-të Rrumbullakët mbi Arsimimin, me ftesë të Universitetit Modul të Vjenës, i cili është organizatori i këtij eventi. Pjesëmarrja e komisioneres ishte e kufizuar vetëm në dhënien e një fjalimi kryesor”, tha zëdhënësja e KE.

“Fjalimi, i cili është i publikuar në faqen e internetit të Komisionit, është i fokusuar mbi iniciativat e fundit evropiane në fushën e arsimimit dhe të kërkimit, të cilat vlejnë për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë. Komisionerja nuk bëri ndonjë deklaratë për ndonjë parti politike, por mbajti një fjalim mbi çështjet që kishin të bënin me fushën e saj”, thuhet në reagim.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re