“Demokratët që e mbështesin aderimin e tyre te vula dhe logo e PD, nuk duhet të kenë më pikëpyetjet se kush është kryetari legjitim”, shprehet deputeti Dashnor Sula, në një reagim për vendimin e Apelit, që njeh si kryetar të partisë më të madhe opozitare Sali Berishën.

Sipas Sulës, tashmë gjithçka është e qartë për të djathtën. Madje, ai ka një mesazh për dy protagonistët, Lulzim Bashën dhe Sali Berishën. “Asnjëri nga dy shkaktarët e konfliktit nuk duhet ti “fryjë zjarrit” për të mbajtur konfliktin ndezur e për rrjedhojë t’ia japë fitoren në tavolinë mazhorancës aktuale”, shkruan demokrati.
Reagimi i Dashnor Sulës:

Partia Demokratike nuk i përket vetëm dy individëve. PD është aset kombëtar. Pas më shumë se dy viteve rrugëtim në gjykatat e vendit, tashmë ka një vendim të formës së prerë.
Për shkak të konfliktit të dy nga personave më të pushtetshëm në PD, qeveria përjetoi një tjetër mandat komod pa shumë shqetësime nga ana e opozitës.
E kam thënë edhe më herët që konflikti në PD do duhej të ishte zgjidhur nga dy personat përgjegjës që e krijuan këtë konflikt në mënyrë politike dhe jo në gjykatë por askush nuk vuri interesat e demokratëve para egos së vetë.
Kjo nuk ndodhi, dhe tani kemi një vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit. Me rëndësi është që teksa kemi hyrë në vitin elektoral, asnjëri nga dy shkaktarët e konfliktit nuk duhet ti “fryjë zjarrit” për të mbajtur konfliktin ndezur e për rrjedhojë t’ia japë fitoren në tavolinë mazhorancës aktuale.
Ata demokratë që e kanë të lidhur militimin e tyre në parti duke u mbështetur te logoja e PD meritojnë të fokusohen vetëm në qëllimin parësor për ti ofruar shqiptarëve një alternativë. Në këtë këndvështrim mbajtja e konfliktit ndezur është egoizëm dhe luftë për interesa personale.
Tani që çështja e vulës e bëri një raund në të gjitha hallkat e gjyqësorit, çdokush që beson tek parimet dhe tek programet, duhet të krijojë formacionin e tij dhe të vijojë betejën e tij. Demokratët që e mbështesin aderimin e tyre te vula dhe logo e PD, nuk duhet të kenë më pikëpyetjet se kush është kryetari legjitim.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re