Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 6 muaj burg ish-gjyqtarin Luan Daci, duke u bërë kështu zyrtari i parë i lartë që kjo gjykatë dënon.

Në seancën e zhvilluar paraditen e kësaj të marte, gjyqtari Sandër Simoni e ka dënuar me 6 muaj burg, dënim i cili i konvertohet në 12 muaj shërbim prove edhe pse Prokuroria e Posaçme kërkoi 1 vit burg për Dacin.

Gjykata  e ka cilësuar fajtor ish-gjyqtarin, duke argumentuar se përmes deklarimit të rremë ai ka mundur të bëhet pjesë e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Togat e zeza urdhëruan që Daci të mos e kryejë dënimin me burg, por të mbajë kontakte me shërbimin e provës. Ai po ashtu nuk duhet të ketë lidhje me persona të inkriminuar. Në përfundim të seancës, ish-gjyqtari tha se ky vendim do të apelohet, duke shtuar se në jetën e tij nuk ka falsifikuar asnjë dokument. E njëjta deklaratë erdhi edhe nga avokati mbrojtës.

Më herët SPAK akuzoi Luan Dacin për falsifikim dokumentesh në momentin që aplikoi për t’u bërë pjesë e trupës së KPA-së. Në dokumentacionin e paraqitur në atë kohë ai fshehu faktin se në vitin 1997 ishte shkarkuar nga KLD-ja për shkelje të ligjit dhe paaftësi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re