Gjykata në Lezhë i ka dalë kundër prokurorit duke dërguar pas hekurave një 61 vjecar të akuzuar për ngacmim seksual të të miturve. Gjykatësi Ilir Perdedaj nuk ka pranuar kërkesën e prokurorit Erion Shehaj, sipas të cilit nuk kishte asnjë element të veprës penale për të akuzuarin Vasel Nilaj duke e çliruar nga të gjitha akuzat.

Gjyqtari Perdeda e dënoi atë me 4 vite burg, pasi gjatë gjykimit është konkluduar se ka elementë të veprës penale për të cilën i pandehuri ishte akuzuar dhe sipas gjykatës është provuar kryerja e veprës penale. Vasel Nilaj u arrestua në janar të vitit 2020, pasi dyshohej se kishte abuzuar seksualisht me një vajzë te mitur me aftësi të kufizuar. Pak muaj pas arrestimit, nga akti i ekspertimit mjeko-ligjor rezultoi se 61 vjeçari nuk kishte abuzuar seksualisht dhe gjykata vendosi që të hetohet në gjendje të lirë.

Në përfundim të hetimeve prokuroria e dërgoi çështjen për pushim, por gjykata e urdhëroi atë që ndaj 61-vjeçarit të ngrihej akuzë për veprën penale “Ngacmim seksual” dhe çështja kaloi për gjykim. Referuar raportit të policisë që është paraqitur në prokurori, 61-vjeçari e kishte ngacmuar vajzën e mitur tek shkolla në fshatin Kolsh të Lezhës. Sapo ishte konstatuar rasti, drejtuesit e shkollës ku ishte e mitura me aftësi ndryshe, kanë njoftuar policinë.

Blutë identifikuan Vasel Nilaj si personin që qëndronte në pritje të të miturës, ndërsa ka deklaruar fillimisht para tyre se vajzën e ka mbesë, por realisht nuk ka lidhje me nxënësen. Denoncimi për rastin u bë dhe nga familjaret e të miturës dhe menjëherë u be edhe arrestimi i tij. Në momentin e ndalimit ai u kap, duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur dhe aktualisht ndodhet në burg, pasi është kapur sërish duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re