Të paktën 9 gëzhoja kallashnikovi janë sekuestruar në vendin e ngjarjes pranë Niklës së Fushë-Krujës ku mbetën të plagosur Gentjan Bejtja dhe Klodjan Stafuka. Burime bëjnë me dije se autorët kanë qenë në lëvizje me një automjet ende të paidentifikuar kur kanë qëlluar në drejtim të dy personave. Nga të shtënat shoferi i automjetit Gentjan Bejtja ka pësuar një gërvishtje dhe ka humbur kontrollin e automjetit në tentativë për t’u larguar. Automjeti është përplasur duke shkaktuar edhe plagosjen e pasagjerit.

Nga sekuestrimi i kamerave të karburantit në afërsi të vendit të ngjarjes, hetuesit nuk kanë arritur të krijojnë ende një identikit të autorëve. Dyshimet janë se atentati ka pasur si objektiv Gentjan Bejtjen, kjo për shkak edhe të kaluarës së tij kriminale. I njohur si ish-mik i Durim Bamit, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, 41-vjeçari Gentjan Bejtja ka qenë i dyshuar për një seri ngjarjesh në zonën e Fushë-Krujës por jo vetëm. Gjithashtu ndaj tij ka dyshime se është përfshirë edhe një një seri grabitjesh.

Burime nga grupi hetimor, i thanë Fax News se, gjithashtu, për këtë personazh ka dyshime se ka qenë edhe në disa grabitje gjatë verës së kaluar, të cilat nuk janë arritur të dokumentohen.

Në dëshminë e tyre dy të rinjtë, pasi kanë kaluar gjendjen traumatike për shkak të plumbave të qëlluar ndaj tyre, kanë pasur deklarata të ngjashme me njëri-tjetrin para hetuesve, duke thënë se nuk i njohin as nuk i kanë parë autorët.

Shpresa e hetuesve mbeten kamerat e sigurisë përgjatë rrugës së përshkuar nga autorët, ndërsa verifikime po kryhen edhe për konfliktet që ka pasur objektivi i dyshuar Gentjan Bejtja, pasi vetëm disa kohë më parë ka qenë shënjestër e një sulmi me armë.

në Facebook, klikoni Join Group

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re