Nga Bujar M.Hoxha

“Na duhen libra”, shkruante një shekull më parë Mid’hat Frashëri, eruditi me një mbiemër të madh, që po aq të madhe do ta kishte dhe trashëgiminë e emrit të tij.

“Ishte një kohë kur qaheshim se kombi ynë s’kish mëmëdhetari, s’kish dashuri për kombin, as ndjenja mëmëdhetare. Sot jemi të lumtur duke parë se dashuri e mëmëdheut dhe e kombit është e gjallë dhe e fortë në zemrat e djemve të Shqipërisë. Të zgjuarit e një kombi dhe të lulëzuarit e tij në këtë udhë të bukur të përparimit bëhet me dituri e me mësim. Dhe nga më të mëdhatë nevoja, mbase më e madhja dhe më e shtrënguara është ajo që kemi për libra shqip”, thoshte ai asokohe në nismën e tij të re letrare.

Kështu niste udhën revista “Diturija” me drejtonjës, siç i pëlqente të shkruante në faqe të parë, atë vetë, të njohur si Lumos Skëndo.

Një revistë që do t’u mbijetonte për dy dhjetëvjeçarë peripecive, botuar gjithsesi me shumë ndërprerje, për ta riparë dritën e botimit pas një shekulli falë një mundi intelektual, e më shumë se kaq. Ribotuar si për të plotësuar thirrjen e Lumo Skëndos për më shumë dituri e për më shumë libra shqip.

Përmbledhja e revistës “Diturija” vjen si një bashkëpunim mes Fondacionit “ALSAR” dhe Bibliotekës Kombëtare, me rastin e 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit. Duke cituar parathënien e përmbledhjes, revista “Diturija” përbën një monument kulture të pashoq në thesarin e dijes dhe kulturës të trashëguar përgjatë jetës së kombit tonë.

“Diturija” është vetë Lumo Skëndo, ç’mbante brenda tij ai njeri, reflektues i pasionit me të cilin i jepej fushës së letrave. Veç zënies me shkrimin dhe përgatitjen e materialeve, atij i duhej të merrej dhe me gjetjen e mjeteve financiare për të mbajtur revistën. Aq sa do detyrohej të shkruante në të nganjëherë dhe ashpër, i zhgënjyer prej atyre që e kishin lënë në baltë. Kalvari i mbijetesës së revistës është i njëjtë me atë të shumë sipërmarrjeve të ngjashme sot.

“Kur vendosa të botoj DITURINË, desha më parë të siguroj jetën e saj materiale… Mjerisht, prej atyre që më dhanë fjalën dhe nënshkrimin, më e shumta ka neglizhuar të na dërgojë pajtimin. Gjyshërit tanë e kishin zakon ta mbajnë besën vetëm me një fjalë. Kujtoja se një fjalë e dhënë me nënshkrim do të ishte besë më e fortë. Në qoftë se vazhdon moskujdesja, kam frikë se DITURIJA do të mbetet pa dalë…” Kështu e shprehte hallin për revistën Lumo Skëndo teksa ishte vetëm në numrin e tretë të saj.

Revista do të botohej më së pari në Selanik, në nisje të 1909-s, si një e përmuajshme: “E përkohëshme shqip literare dhe diturake.” Stacioni tjetër do të ishte Bukureshti, ku do të dilnin numrat e motit të dytë të botimit, me një rinisje pas shtatë vitesh. Një tjetër ndërprerje e gjatë për shkak të rrethanave të kohës do ta zhvendoste më tutje botimin në Tiranë, nga 1926-ta në 1929-n. Botimi i sotëm i përmbledhjes së revistës “Diturija” është në dy vëllime. Periudha nga janari i 1909-s në tetorin e 1927-s ka zënë vend në vëllimin e parë; vëllimi i dytë përmbledh materialin e revistës të periudhës mes nëntorit të 1927-s dhe dhjetorit të 1929-s.

Tematika është e gjerë te “Diturija”, nga çështjet gjuhësore te portrete figurash të njohura, nga njohja me aktivitetin e shqiptarëve në Rumani te historiku i shqiptarëve në Greqi, Itali, nga rrëfimet për udhëtarët e huaj në Shqipëri te poezitë, nga fjalëtoret te kënga popullore, nga ca letra interesante te një rubrikë me kuriozitete. Një varg emrash të njohur, thotë parathënia, ku radhiten Pedersen, Jokl, Borgia, Weigand, Roques, Pop, Šufflay, Pekmezi, K. Gurakuqi, A. Xhuvani, M. Logoreci, P. Ikonomi, mes të tjerëve, i kanë dhënë kësaj reviste dinjitetin e një katedre të mirëfilltë albanologjike.

Po ç’mund të gjejmë, për shembull, në këtë botim. Ja ç’shkruan Lumo Skëndo për bashkëkombasit e tij: “Po e shohim se tani fuqia e njeriut më s’vete vetëm te fuqia e grushtit si në kohë të shkuara… Armët e sotme s’janë sëpata dhe kopaçeja, por qytetaria, mjeshtëritë, dituria, begatia. Lum ata që janë të gatuar dhe të armatosur për këtë luftë të jetesës… Aherë, kur ta mbledhë gjithë fuqinë e tij, dhe kur ta përdorë këtë fuqi pas mënyrës dhe nevojës së vërtetë, aherë prapë shqiptari do të jetë i nderuar dhe i pari në të parët!”

Në bibliografinë e numrit të gushtit të vitit 1916 tërheqin vëmendjen fjalët: “Salutojmë me një simpati të posaçme botimin e librave fetarë të tillë, se jemi bindur që, për të krijuar dhe për të formuar një qytetërim kombiar shqiptar, s’duhet harruar kurrë ana frymore, ana fetare e punës… Nevoja për të tillë libra është pra aq e madhe sa dhe për librat shkollorë… Pa dyshim s’do të më thotë njeri se librat fetarë shtojnë fanatizmin e verbër dhe pakësojnë ndjenjën kombiare. Përkundrazi, libra të shkruar mirë dhe me dituri të vërtetë shtojnë ndjenjën fetare të vërtetë…”

Kur flitet për shqiptarët në Greqi, në numrin e nëntorit të 1926-s, nënvizohet se: “Për ne duhet të jetë një e vërtetë e kthjellët që edhe një shqiptar i vetëm, kudo që të jetë dhe sido që të ndodhet, ka rëndësi të madhe, nga shkaku se jemi një komb i vogël, i pakët nga numri. Një popull i fuqishëm, që numëron me dhjetëra milionë frymë, mund të humbasë dhe të lërë të arratisen disa qindra mijë njerëz, ose edhe disa miliona… Me gjithë këtë, edhe kombet e mëdhenj marrin më të madhin kujdes që gjymtyrët e tyre të ndara nga trupi i madh të mbeten moralisht dhe kombësisht të lidhura, të mos harrojnë gjuhën dhe ndjenjat… Kjo për neve është një nevojë dhe një detyrë akoma më e madhe, se, sa e ndjejmë veten tonë të vogël dhe të vetëm midis kaq të huajve të tjerë, aq më tepër duhet që të kemi lidhje dhe afrim me njerëzit që janë prej gjakut dhe prej gjuhës sonë.”

Në “Letër s’ime mbese”, sjellë në numra të ndryshëm, lexojmë rreshta tërheqës për pozicionin e gruas: “Shtëpia është mbretëri e gruas: shtëpia është e tërë bota për gruan. Dhe ashtu sikundër që qeveritari a mbreti i një vendi ka një barrë të rëndë për të qeverisurit e një mbretërije, ashtu dhe gruaja barrën e ka dhe mbase më të rëndë akoma… Dije mirë, çupa ime, se në këtë jetë fatbardhësinë si dhe fatkeqësinë njeriu e mbryn me dorë të tij. Vetija që ka e bën njerinë të lumtur a të mjerë.”

Lumo Skëndo i kushton një kryeartikull punës, apo, më saktë, ndërthurjes mes shpresës dhe punës. “Tani, ne, shqiptarët, duhet të fillojmë nga shpresa apo nga puna? Më duket se përgjigjen e dhamë më lart, dhe rrëfyem se flaka dhe drita vijnë prej zjarrit, dhe jo zjarri prej tyre. Puna për ne është më tepër se një gjë e domosdoshme dhe e natyrshme: është një detyrë. Gjendja e sotme për të qarë, shkalla e keqe në të cilën kemi rënë, vuajtjet dhe mynxyrat tona, të gjitha na vijnë nga të mospunuarit, nga varfanjakësia e vullnetit…”

Në numrin e dhjetorit të vitit 1926 ka një përshkrim të hollësishëm të jetës ekonomike në vend, shoqëruar dhe shifra, ku flitet me zëra për eksportet dhe importet e asaj kohe. Revista e marsit të 1927-s ka për artikull të parë, “Katedrat e gjuhës shqipe në vende të huaja dhe albanologjia.” Dy muaj më pas, në maj, “Diturija” flet për udhëtarët e huaj në Shqipëri gjer në fund të shekullit të 19-të, një temë e vazhduar në shumë numra. Ndërkohë që vijon nga numri i kaluar një analizë e hollësishme për ujërat në vend. “Tribunë gramatike dhe gjuhësije”, është një rubrikë më vete, e sjellë rëndom. Në lajmërimet e herëpashershme për botimin e “Kalendarit Kombiar”, të risjellë gjithashtu lexuesit nga Fondacioni “ALSAR”, Lumo Skëndo e quan atë mikun e vogël, plakun e dashur. Kongresi i Manastirit na pasqyrohet me dy fotografi, një të kongresit, e një të Komisionit të Alfabetit, ku nuk mungon një shpjegim për njerëzit në to.

Përvjetori i 110-të i Kongresit të Manastirit ka qenë një shtysë e madhe për ta risjellë këtë revistë të mrekullueshme për “këndonjësin” e ditëve të sotme, për të risjellë nëpërmjet saj dhe figurën e Mid’hat Frashërit, të zgjedhur kryetar i atij kongresi. Ky njeri, bir e nip rilindasish, kish për mision të tij dijen, treguar aq qartë e aq bukur në përkushtimin e jashtëzakonshëm për botimin e revistës “Diturija”. Erudicioni, kërshëria intelektuale, aftësia hulumtuese, të shkruarit dhe atdhedashuria e këtij njeriu janë bërë njësh në këtë sipërmarrje të lodhshme të tij.

“Diturija”, me “këndonjësit” e saj një shekull më parë, na bën dhe ne sot të tillë. Në të mund të kuptojmë më mirë natyrën e botuesit të saj, mund të kuptojmë më mirë frymën e kohës. Sa mirë për atë që do të ketë fatin ta ketë këtë “dituri” në dorë e të bëhet “këndonjës” i saj!

Ky botim është më e fundit punë e përfunduar me sukses nga Fondacioni “ALSAR” në këtë fushë. Institucioni në fjalë pritet të sjellë gjer në fund të vitit dhe 13 tituj të tjerë, mes të cilëve një botim të tillë si, “Bibliografia retrospektive e librit shqip”.    

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re