Ish-kryeministri Sali Berisha foli për listat e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike për zgjedhjet e 25 prillit.

Berisha është renditur i pesti në listën e PD në Tiranë, por tha se donte që të ishte më poshtë. Sa i takon listës së Partisë Socialiste, Berisha tha ne “News 24” se kryeministri Edi Rama vuri në “vijën e zjarrit” të gjithë ata socialistë, që sipas tij, do të ishin rrezik për kryetarin e PS pas humbjes së zgjedhjeve.

“Do doja të isha pak më mbrapa, kanë bërë atë renditje, por edhe po të isha më poshtë, nuk do të kisha asnjë keqardhje. Jo në formën që ka përdorur Rama, se ajo që ka përdorur z.Rama është thikë pas shpine. Mendoni ju se Xhafaj do mund të hyjë në Parlament në pozicionin e 23? Unë e konsideroj veten njërin prej deputetëve të PD, që garon për t’u futur në Parlament. Ata e dinë se partia i vuri në këto pozicione për t’i eliminuar dhe janë të eliminuar. 

Lista e PS ka tre veçanti, e para është avancimi në pozicionet më të sigurta të krimit, drogës dhe korrupsionit, së dyti eliminimi i socialistëve që pas humbjes së zgjedhjeve janë rrezik i vërtetë për kryetarin e PS, dhe së treti vendosja në ballë të zonjave, nuk di kryeministër në botë që të hapë fushatën siç bëri ai dje ndaj z.Grida Duma. Ka zgjedhur dhe ca elementë të tjerë, që nuk do të votojnë kundër tij për largimin e tij si kryetar i PS. Mjeken e solli vetëm për të bindur socialistët se Covid-i ishte një sukses, në një kohë kur Covid-i ishte drama më e madhe e një vendi sot në Shqipëri”, tha Berisha.

(E.H/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re