Të ardhur me vonesë në seancën ku do të vlerësohej masa e arrestit lëshuar nga Prokuroria e Tiranës, avokatët e Tire Alldervishit, 58-vjeçares të arrestuar për mashtrim pas skandalit të zbuluar në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë kanë kërkuar një masë më të lehtë sigurimi sot në gjyq, me afat një mujor.

Sipas avokatëve të sanitares, klientja e tyre është në gjendje jo të mirë psikologjike.

Ata thanë se Tirja ka qenë e infektuar me COVID-19, ndaj gjendja e saj nuk është e mirë. Për të mbështetur deklaratën e tyre, avokatët thanë se do të japin prova që tregojnë një tjetër tablo të situatës.

“Ngjarja është e rëndë për opinionin publik. Do të kërkojmë hetim të plotë. E mbrojtura prej nesh është në gjendje jo të mirë psikologjike.

Ka qenë e prekur me COVID dhe gjendja shëndetësore nuk është e mirë. Kërkojmë një masë më të lehtë me afat një mujor.

Do të sjellim prova që japin një tjetër tablo. Ne i konsiderojmë provat të paligjshme, kemi prova të tjera për zbardhjen e kësaj ngjarje. Kërkojmë zbutjen e masës së sigurisë, ose caktimin e një mase arrest në burg për 30 ditë deri sa ne të dorëzojmë prova të reja.”, deklaruan avokatët.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re