Një dokument nga Arkivat Osmane zbulon se shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor të 1912-ës u bë me pëlqimin dhe miratimin e qeverisë osmane.

Në një punim të përgatitur nga Mehmet Tütüncü, Mithat Aydin dhe anëtari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, historiani Ardian Muhaj, zbulohet një dokument i rëndësishëm nga Arkivat Osmane në Stamboll sipas të cilit, Kongresi i Vlorës dhe shpallja e Pavarësisë më 28 nëntor të 1912-ës u kryen në dijeni dhe me aprovimim e Kabinetit të Ministrave të Perandorisë Osmane.

Dokumenti mban datën 27 nëntor 1912 dhe është një vendim i nënshkruar nga anëtarët e këtij kabineti. Ai është një përgjigje mbi disa sqarime të kërkuara nga komandanti osman i zonës së Shqipërisë së Jugut dhe Çamërisë me qendër në Janinë, kryekomandanti i vilajetit të Janinës, Esat Pashë Janina.

Ai kërkon nga qeveria e Stambollit një udhëzim se çfarë duhet të bëjë me Ismail Qemalin dhe bashkëpunëtorët e tij të cilët kishin lënë Durrësin dhe priteshin të mbërrinin në Vlorë për të mbajtur një kuvend mbi çështjen e Shqipërisë.

Përgjigja e Stambollit zyrtar është e qartë dhe e prerë që të mos pengohej në asnjë mënyrë mbajtja e atij kuvendi, pasi Ismail Qemali kishte aprovimin e qeverisë osmane për veprimet që po kryente dhe i kishte njoftuar rregullisht për lëvizjet e tij.

Dokumenti nga arkivat osmane

Pjesë nga dokumenti i përkthyer:

27 nëntor 1912. Komandanti i Janinës ka dërguar një telegraf të koduar dhe ka shtruar disa pyetje për qeverinë. Ismail Qemali me 14 bashkëpunëtorë si dhe disa nënshtetas të huaj do të mbajë një kuvend mbi situatën politike në Shqipëri.

Është qëndrimi i qeverisë sonë për t’i akorduar autonominë më të lartë të gjithë territoreve shqiptare. Ky është edhe qëllimi i këtij kuvendi dhe për këtë arsye është me shumë rëndësi që të mos pengohet mbajtja e tij.

Të vihet në dijeni komandanti i vilajetit të Janinës si edhe Ministria e Luftës dhe Ministria e Punëve të Jashtme mbi këtë çështje.

MV., 171/53, 17.12.1330 (27 nëntor 1912).

Dokumenti u publikua në shqip në fillim të vitit të kaluar. Historiani Muhaj thotë se dokumenti i gjetur në arkivat osmane “është autentik dhe ka rëndësinë  e vet”, por shton se ai “nuk ndryshon asgjë në narrativën historike”.

Muhaj thotë se është i vështirë kontekstualizimi i këtij dokumenti. Pa vënien e tij në kontekstin kohor edhe domethënia mbetet e paqartë, sipas historianit që saktëson se “është dokument i rëndësishëm, por kështu i shkëputur nuk thotë shumë”.

 

“Ky fakt, – vijon historiani, – nuk i heq asgjë patriotizmit të figurave që kontribuuan në procesin e Pavarësisë. Përkundrazi dëshmon aftësinë e urtinë e tyre për të  shfrytëzuar rrethanat e ndërlikuara ndërkombëtarisht për të nxjerrë  në  dritë  çështjen  shqiptare”.

Dokumenti i shpalljes së pavarësisë (kopja e Nosit)

Shpallja e Pavarësisë, 28 nëntor 1912. Firmat e nënshkruesve:

Dhimitër Beratti

Elmaz efendi Boce

Hajredin bey Cakrani

Pandeli Cale

Shefqet Daiu

Ymer bey Deliallisi

Vehbi efendi Dibra

Abaz efendi Dilaveri [Çelkupa]

Qemal bey Elbasani [Biçaku]

Thanas V. Floqi

Mid’hat bey Frashëri

Luigj Gurakuqi

Salih Gjuka

Veli Harçi

Spiro T. Ilo

Qazim Kokoshi

Mustafa Asim Kruja

Jani Minga

Rexhep bey Mitrovica

Qemal bey Mullaj

Dr. H. Myrtezai

Lef Nosi

Zuhdi bey Ohriti

Bedri bey Pejani

Aristidh Ruçi

Nebil efendi Sefa Lushnja

Nuri efendi Sojliu

Abdi bey Toptani

Murat bey Toptani

Dhimitraq N. Tutulani

Abdyl Aziz Vehbi

Dom Nikollë Kaçorri

Zihni Abaz efendi Kanina

Jorgji Karbunara

Xhelal bey Koprencka

Dhimitër Zografi

Ismail Kemal bey Vlora

Ferit bey Vokopola

Iljaz bey Vrioni

Xhemalyddin Bey […]

 

——

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re