Rezultati i dobët i zgjedhjeve ka shkaktuar tronditje në LDK, e cila e sheh veten të renditur në vendin e tretë dhe humbëse në disa prej bastioneve të tyre.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa me anë të një postimi në rrjetet sociale duket se ia “faturon” humbjen kandidatin për kryeministër Avdullah Hotit, edhe pse thotë se ai ka bërë një punë të shkëlqyeshme si kryeministër.

Gjithashtu Isa Mustafa paralajmëron reformë brenda LDK-së. “Miq të nderuar! Në ditët  në vijim, do  të bëjmë një analizë të thellë të zgjedhjeve. Z. Hoti ka bërë një punë të shkëlqyeshme si Kryeministër por edhe gjatë fushatës. Çfardo të jetë, LDK e  respekton rezultatin e zgjedhjeve. Ne do të bëjmë ndryshimet e nevojshme dhe LDK do të punojë shumë që të rikthehet dhe ta sendërtojë vizionin e saj rugovian për vendin”, thekson Mustafa.

LDK-ja doli parti e tretë në këto zgjedhje. Për këtë rezultat të dobët ish-këshilltari i Avdullah Hotit, Xhavit Beqiri, ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafës dhe të tjerëve.

“Isë, Agim & company, përveçse si akt moral, dorëheqjen e keni mundësi për me tregue pak dinjitet! Shkoni… e keni katranosur!”, ka shkruar ai. Vetëvendosje në këto zgjedhje po prin bindshëm me 48,06 për qind.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re