Mjeku epidemiolog Taulant Muka në një intervistë Ora News përsa i përket menaxhimit të situatës pandemike në Shqipëri u shpreh se nuk ka një menaxhim të mirëfilltë të bazuar në shkencë.

Muka shprehet se shteti shqiptar duhet të vendosë studiues në krye të menaxhimit të situatës covid dhe jo të bëjë politikë.

Muka: “Menaxhimi i pandeminë në Shqipëri nuk është bazuar në shkencë, është një menaxhim politik. Gjithashtu edhe menaxhimi i paplanifikuar ku përgatitet vaksinimi i popullatës dhe më pas nuk ke dozën e dytë për t’i bërë vaksinimin e plotë. Pra, nuk ka një planifikim të mirë-menduar.

Nuk ka të dhëna nga shteti shqiptar, nuk ka të dhëna apo teste për të kuptuar se sa % e popullatës e ka kaluar infeksionin. Shifrat e vdekshmërisë na tregojnë që një % e lartë e popullsisë shqiptare e ka kaluar infeksionin. Shteti shqiptar duhet të vendosë studiues në krye të menaxhimit të situatës covid dhe jo të bëjë politikë.”

Sipas Mukës, doza e dytë e vaksinës është e rëndësishme pasi vaksina kineze është testuar efektive pas marrjes së të dyja dozave.

Muka: “Vaksina kineze është testuar në raport me dy doza.

Faktikisht të dhënat nga shtete të ndryshme kanë thënë se imuniteti që fitohet nga një dozë në rastin e vaksinës kineze, nuk është një imunitet i fortë.

Është shumë e rëndësishme të kuptojmë që duhet bërë mundësia maksimale e shtetit shqiptar për të siguruar doza të mëtejshme të vaksinës. “

Gjithashtu Muka shprehet se Komiteti i ekspertëve nuk ka njohuri shkencore dhe për këtë shkak kemi një vdekshmëri të lartë në vend.

Muka: “Komiteti nuk është një ekip shkencor, është një komitet që ka më shumë nuanca politike sesa ka nuanca të dhënies së evidencës më të fundit shkencore përsa i përket menaxhimit të pandemisë.

Sot jemi me disa që nuk dihen se çfarë bëjnë dhe se si është ecuria e mëtejshme e menaxhimit të situatës covid dhe kemi një vdekshmëri shumë të lartë. “

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re