Profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi ka qenë i ftuar në emisionin “Me Xhaxhiun” të transmetuar në Fax News, ku nëpërmjet një lidhje “skype” ka folur mbi vizitën e Vuçiç në Shqipëri dhe mbi nismën “Ballkani i Hapur”. Bytyçi tha se kjo nismë nuk kishte ndonjë rëndësi strategjike për Shqipërinë ndërsa shtoi se diçka e tillë do vlente nëse do flitej për marrëveshje me Kroacinë apo Malin e Zi.
Më tej duke analizuar edhe qëllimin e vërtetë të Aleksandër Vuçiç, profesori tha se ky projekt po përdorej nga presidenti serb në mënyrë që të rriste ndikimin në të gjithë rajonin sepse duke mos pasur më kufij, do të arrinte të përdorte lehtësisht të gjithë minoritetet serbe kudo që jetojnë.
Profesori, Enver Bytyçi: Unë dua të analizoj deklaratën e tij për të ftuar Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjë Hercegovinën për t’u bërë pjesë e “Open Ballkan”. Gjiithashtu kanë dërguar një letër tjetër në Berlin ku i kërkojnë mbështetje për iniciativën e ndërmarrë. Kjo do të thotë se ish kancelarja Angela Merkel nuk ka qenë në mbështetje të kësaj nisme gjatë kohës kur vizitoi rajonin ashtu siç u trumbetua. Gjithsesi kalojmë tek oferta e zotit Vuçiç.
Atij dhe Serbisë i intereson një Ballkan pa kufij sepse do e kishte shumë më të lehtë të zhvillonte diversionin e tij që e zhvillon edhe sot në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnje Hercegovinë. Zotit Vuçiç nuk i intereson as Shqipëria dhe as Maqedonia nga pikëpamja e zgjerimit të territoreve dhe përdorimit të minoritetit serb. Tre vendet e tjera kanë minoritetet serbe në numra të mëdha. Këta serbë Vuçiç i përdor vazhdimisht si karrem për interesat që Beogradi ka në Ballkan.
Duke mos ekzistuar kufijtë, ai i ka të gjitha mundësitë dhe shanset t’i manipulojë në mënyrën më të mirë të mundshme minoritetet serbe në rajon. Imagjino dy familje në një fshat të cilat kanë një gardh midis tyre dhe njëra familje konteston kufirin me tjetrën familje dhe ndërkohë i kërkon të hiqet gardhi se nuk duhet. A do pranonte ky fqinji i rrezikuar që të hiqte gardhin?
Xhaxhiu: Është kjo arsyeja përse ju professor shikoni pasiguri?
Bytyçi: Skema rozë është një joshje e njerëzve të cilët nuk kanë sensing e dyshimit dhe skepticizmit duke qenë euforikë në qëndrimet e tyre dhe si pasojë treshja shfrytëzon këtë pjesë që është jo e vogël. Rama tha se “Open Balkan” është në interesin strategjik të Shqipërisë, por unë mendoj se nuk kemi asnjë lloj interesi të tillë në marrëdhënie me Serbinë por pa diskutim me Kroacinë, Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinën.
(B.V/Faxweb.al)
…
/faxweb
