Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç vetëm dy ditë para takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti ka deklaruar se ditët nuk do të jenë të lehta.

Në reagimin e tij Vuçiç është shprehur se pala serbe duhet të tregohet e kujdesshme në dialog.

“Këto nuk janë ditë të lehta përpara. Nuk është koha për fjalë të mëdha. Ne kemi një qëndrim të vendosur. Ne duam të tregojmë se kujdesemi për dialogun dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, por siç mund ta shihni, po bëhet më e vështirë kur ju shikoni se çfarë po bën udhëheqja shqiptare”, u shpreh Vuçiç.

Paralajmërimi i Albin Kurtit për ngritjen e padisë kundër Serbisë për gjenocid, Vuçiç tha se dëshmon se kryeministri i Kosovës nuk është i gatshëm për dialog.

“Këtu i them që të mos kërcënojë, ai mund të padisë, por kjo tregon se ai është kundër dialogut. Ai mund të sjellë disa njerëz, ne gjithashtu mundemi, por kjo përsëri tregon se ai nuk është i gatshëm për marrëveshje. Vlen të shkohet në Bruksel, sepse nuk keni asnjë alternativë përveç dialogut, sepse çdo bisedë është më e mirë se një e shtënë. Unë dua ta ruaj paqen”, tha Vuçiç.

(E.H/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re