Teksa qeveria po sheh mundësinë e rikthimit të fashave të energjisë elektrike, me fokus kush shpenzon mbi 700 kw/orë duhet të paguaj më shtrenjtë. Enti Rregullator i Energjisë duket se ka dy qëndrime të ndryshme për këtë çështje. Këtë të mërkurë, kreu i entit rregullator u shpreh në Komision Parlamentar se edhe pse nuk ka ende një aplikim të tillë, politikat qeverisë janë një sinkron me rregullatorin.

 

Por në vitin 2014, kohë kur u unifikua çmimi i energjisë për familjet dhe u hoqën fashat enti rregullatorë në raportin vjetor do të argumentonte se çmimi me dy blloqe tarifash ka hasur në vështirësi në faturim si dhe ka rritur abuzimin nga ana e kompanisë duke rritur ndjeshëm ankesat e familjarëve

 

“Aplikimi i tarifës me dy blloqe ka rritur abuzimin nga ana e kompanisë duke çuar në rritjen e numrit të ankesave nga familjarët për faturat e energjisë elektrike, të cilat mesatarisht janë rreth 50.000 çdo vit. – Gjithashtu ekzistenca e fashave ka pasur ndikim të ndjeshëm në rritjen e nivelit të humbjeve joteknike të kompanisë.”

 

Në atë kohë, enti nënvizoi se tarifa me blloqe konsumi e projektuar si një masë eficence nuk funksionoi si e tillë, madje soli shumë probleme.

 

“ERE mendon se: – Heqja e tarifës me blloqe konsumi do të lehtësonte faturimin nga ana e kompanisë, do të reduktonte kostot panevojshme të leximit dhe faturimit në kohë shumë të shkurtër. Do të ulë në minimum mundësinë e abuzimit”, thuhet në raport në vitin 2014.

 

Të njëjtat shqetësime të vërejtura vite më parë nga enti rregullatorë janë të vlefshme edhe për dy fashat që po paraqet aktualisht qeveria. Sipas të dhënave, llogaritet se janë mbi 50 mijë abonentë familjarë që mund të preken nga rikthim i çmimit të energjisë me dy fasha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re