Rreth një vit më parë, më 8 korrik, Parlamenti do të votonte me 101 vota pro krijimit të komisionit hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.  Argumenti kryesor i kërkesës ishte se presidenti kishte shkelur Kushtetutë me dekretin për anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.

Për mazhorancën nxjerrja e një date të re, duke zhvlerësuar dekretin e parë përbënte një shkelje të rëndë kushtetuese dhe për këtë Parlamenti duhej të votonte për shkarkimin e kreut të shtetit.

Konflikti do të kapte kurbën më të lartë të përplasjeve mes mazhorancës dhe presidentit që u zgjodh me votat e vetë socialistëve. Për të pasur një argument më të fortë si bazë e fortë për nismën e tyre  mazhoranca kërkoi ndihmën edhe të ndërkombëtarëve. Shpresa e socialistëve për të qepur sa më mirë nismën për shkarkim ishte Komisioni i Venecias.

Të nxitur mbase edhe nga këshillat e ndërkombëtarëve, me qëllim zbutjen e tensioneve politike, kryeparlamentari Gramoz Ruçi iu drejtua Venecias për të marrë një opinion më të specializuar nga ekspertët europianë, nëse kemi një tejkalim të kompetencave kushtetuese nga presidenti me anulimin e zgjedhjeve me 30 qershor.

Në tetor të vitit të shkuar, komisioni i Venecia në raportin e paraqitur për këtë çështje përcaktoi se akti i presidentit nuk mund të përbënte argument për shkarkimin e Metës, ndonëse mund të ketë vepruar përtej kompetencave kushtetuese.

“Presidenti ka tejkaluar kompetencat e tij kushtetuese duke anuluar dhe duke shtyrë zgjedhjet vendore përtej mandatit zgjedhor të autoriteteve vendore pa një bazë ligjore specifike. Megjithatë, elementët e parashtruar më sipër mund të çonin në konkluzionin se këto akte mund të mos kenë qenë të një natyre mjaftueshmërisht të rëndë për të autorizuar një shkarkim të Presidentit”, do të ishte konkluzioni i Venecias.

Kaq mjaftoi dhe socialistëve u tronditën pasi nisma e komisionit hetimor po pësonte krisjet e para. Të gjendur përballë kësaj situate, shkëndija e shpresës së mazhorancës u rindez në përballjen me presidentin për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Emërimi i Marsida Xhaferllarit refuzimi i pranimit të Arta Vorpsit, një emër i mbrojtur me pathos nga socialistët, risolli ndryshimin e objektit të hetimit. Socialistët ndryshuan objektin e hetimit, duke i shtuar dhe hetimin e emërimeve të anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese.

Kërkesa e dytë riktheu edhe një herë tensionin politik mes socialistëve dhe presidentit Meta, duke nisur akuzat për grushte shteti dhe marrja të kompetencave të kreut të shtetit për dekretimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Por edhe kjo kartë e mazhorancës u sfumua nga komisioni i Venecias, pasi raporti i dytë ishte në favor të presidentit, duke kërkuar zbatimin  radhës së emërimeve, por mbi të gjitha kërkon bashkëpunim ndërinstitucional.

Me këto dy raporte, që ngjajnë si dy shuplaka për mazhorancës, komisioni hetimor automatikisht mund të cilësohet si rrëzuar.

Kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla pas daljes së raportit të dytë dha sinjale tërheqjeje duke bërë një deklaratë të çuditshme se “Shkarkimi i presidentit të Republikës nuk ka qenë qëllim në vetvete. Komisioni Hetimor parlamentar i iniciuar nga 55 deputetë është një komision që po vijon punën. Ka pasur një objekt të punës hetimore disa çështje të rëndësishme… Sa i takon shkarkimit të tij, besoj se mëkati i tij lidhur me ligjshmërinë, është i qartë si drita e diellit lidhur me aktin joligjor të dekretit, apo zhdekretimi i 30 qershorit, që ka qenë objekt vlerësimi i një opinioni tjetër”.

Komisionit hetimor për shkarkimin e presidentit i përfundon afati në 31 korrik. Sipas ligjit, komisionit i duhet të hartojnë një raport dhe duhet të vendosë nëse duhet t’i kërkojë Parlamentit shkarkimin e Metës, pasi një ndër pikat e objektit të hetimit është “sjellja dhe qëndrimet të caktuara të Presidentit të Republikës në raport me rolin dhe pozitën e tij kushtetuese”.

Alibia e mazhorancës  për shkelje të rëndë të Kushtetutës ka rënë dhe se mungesa e Gjykatës Kushtetuese e bën të pamundur shqyrtimin e ndonjë vendimi nga Parlamenti për shkarkimin e Presidentit. Përballë kësaj situata, mazhoranca duhet të llogarisë dhe gjtjen e 94 votave të deputetëve, e kjo në prag të zgjedhjeve parlamentare duket si një mision i pamundur.

/shqip

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re