Skip to content

“E hëngri” ariu, invalidi jeton mes varfërisë ekstreme

Shpëtim Rrena është një invalid, jeta e së cilit ka qenë tepër e vështirë. Në moshën 25 vjeçare, teksa kulloste bagëtinë në malet e fshatit Patin të bashkisë Klos, ai sulmohet nga një ari që për pasojë i shkakton plagë të rënda në trup. Sulmi i ariut i la shenja të parikuperueshme duke e lënë invalid gjithë jetën

Sot 47 vjeç, vuajtjet e Shpëtim Rrenës duket se nuk kanë fund. Ndonëse invalid, ai detyrohet çdo ditë të marrë udhën drejt Bulqizës në këmbë, për te shitur ato te pakta prodhime bujqësore që gjenden në kopshtin e tij, kjo, e vetmja mënyrë përfitimi të ardhurash. Shpëtimi ka dy fëmijë, që rriten me ato qindarka që të atit i mbeten në xhep.

Familja Rrena u godit edhe nga tërmeti shkatërrimtar i 26 Nëntorit. Ai tregoi për emisionin Vizioni i Pasdites se tërmeti i prishi shtëpinë dhe i la në mes të katër rrugëve.

Pesha dhe përgjegjësia i rëndon e tëra mbi shpatulla këtij invalidi, i cili ka pranuar fatin e tij. Megjithatë nuk dorëzohet, dhe çdo ditë del të shesë ato të pakta prodhime bujqësore, për mirëqenien e dy fëmijëve dhe bashkëshortes së tij.