Aktivisti Ergys Mërtiri ka shpërthyer gjatë një debati në Open mbrëmjen e sotme, duke deklaruar se rasti skandaloz i “Tire Alldërvishit” ka ndodhur përshkak të sistemit skandaloz ku ndodhet vendi.

Sipas Mërtirit, vetëm në një vend si Shqipëria mund të ndodhë që t’i merren 8 milionë lekë të vjetra një pacienti nga një pastruese.

Teksa e vazhdon debatin me tone të larta, Mërtiri i thotë kreut të spitalit “Shefqet Ndroqi”, Perlat Kapisyzi, se nuk mund t’ia shisni njerëzve që këto janë raste tepër të rralla. Ai thekson se i tërë sistemi është i kalbur.

“Nuk ka Tire që merr para nëse nuk ta lejon sistemi. Nuk ndodh në asnjë vend të botës që një pastruese të marrë 8 milionë lekë. Nuk mund t’ia shisni njerëzve që janë disa mollë të kalbura. Jo nuk janë disa mollë të kalbura. Është një sistëm i tërë, zotëri. Le të guxojë dikush ta bëjë në Gjermani, fluturon fishek.

Nuk i kanë dhënë bukë. E kanë vrarë pacientin. Nuk i kanë dhënë bukë te ju (Te spitali Shefqet Ndroqi).

Këta përpiqen të fshihen pas bluzave të bardha. Në fakt ne kërkojmë përgjegjësitë dhe nuk mundesh dot që në emër të sakrificës së mjekëve, të cilët në fakt punën po bëjnë, ne të mos kritikojmë sistemin. Zotëria aty është drejtori i një spitali ku kanë vrarë veten 5 persona,’ deklaroi Mertiri.

Tire Alldërvishi është pastruesja e spitalit “Shefqet Ndroqi” e cila u arrestua pak kohë më parë, pasi kishte marrë 8 milionë lekë nga vajza e një pacienteje të shtruar në këtë spital, për t’i shërbyer më mirë. Alldërvishi ishte shtirur si infermiere, ndërkohë, vajza e viktimës pretendon se nëna e saj është lënë pa shërbimet bazë, cka ka sjellë dhe vdekjen e saj. Ditën e sotme, policia arrestoi 4 punonjës të tjerë në këtë spital si të përfshirë në këtë skemë korrupsioni: 3 infermiere dhe një sanitare.

(E.H/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re