Një ngjarje e papritur është regjistruar pasditen e sotme në Ksamil. Një shtetas norvegjez i identifikuar Frank Westgard Holm, 56 vjeç, ka humbur jetën.

Sipas burimeve 56-vjeçari është ndjere keq pasi ka dalë nga dushi dhe për rrjedhojë është drejtuar për në Qendrën Shëndetësore të Ksamilit, ku ka humbur edhe jetën. Nga Ksamili trupi i norvegjezit është transportuar për në morgun e spitalit në Sarandë.

Shtetasi norvegjez ndodhej së bashku me miken e tij për pushime në vendin tonë, i ardhur në datën 16 qershor dhe ditën e djeshme kishte ardhur në Ksamil. Mësohet se ai ka pasur probleme me presionin në gjak. Trupi ndodhet në morgun e spitalit të Sarandës dhe ditën e nesërme do të transportohet për në Tiranë tek mjekësia ligjore për të përcaktuar shkakun e humbjes së jetës. Policia po kryen hetimet për ngjarjen.

Në postimet e tij në Facebook, fotot e fundit të postuara janë nga aeroporti i Ukrainës para 3 ditëve.
Ndërsa ditën e sotme ai ka postuar një foto nga pushimet që po bënte në Ksamil.

Rërë, një shishe birrë dhe deti i kaltër janë pamjet e postuara para disa orëve, ku miqtë e tij vazhdojnë ta urojnë “pushime të mbara!”

Si duket edhe postimet nga fotot e tij në Facebook pasioni i tij kanë qenë udhëtimet dhe makinat.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re