Emisioni “Stop” publikoi një rast rrëqethës dhune të një prindi ndaj fëmijës së mitur. Dhuna makabre ka ndodhur rreth 3 javë më parë në Korçë.  Gruaja me iniciale H.A, me origjinë nga Kukësi dhe banim në Durrës kishte shkuar për festat e fundvitit tek prindërit e bashkëshortit në qytetin juglindor. Në një moment jashtë kontrollit, gruaja ka kapur për flokësh e përplasur në tokë vajzën e saj 3-vjeçare, pasi e vogla i kishte marrë telefonin.

“Ishte një skenë makabre mëse e padurueshme”, tregoi denoncuesja. Ndërkohë në video dëgjohet një person që thërret “Mos moj.. çfarë i bëre fëmijës moj. E vrave fëmijën moj”.

Por siç dëgjohet në video, gruaja thotë: Do ta vras mo pse ça! Është fëmija im nuk pyes fare. Familjarët iu drejtuan policisë së Korçës dhe kjo e fundit e vuri në pranga gruan e dhunshme. Çështja u hetua nga prokurori i Korçës Julian Kristo, i cili kërkoi vetëm 2 vjet heqje lirie për nënën e dhunshme.

“Dua ta bëj publike se është ngjarje makabre. Zonja ka qëndruar vetëm një javë në paraburgim dhe tani ndodhet në shtëpi me fëmijën që mund edhe ta vrasë nga momenti në moment me sjelljet që bënte zonja. Është e papranueshme nuk mund të qëndrojë ajo nënë me fëmijën e saj. Direkt pas ngjarjes familjarët telefonuan policinë, nuk erdhën menjëherë, por pasi panë videon erdhën dhe e arrestuan zonjën dhe çështjen e mori përsipër prokurori Julian Kristo dhe psikologia Elisabeta Dino. Kërkuan një dënim të butë për gati 2 vite për dhunë të përsëritur në familje”, tha denoncuesja.

Gjyqtari Ervin Sulaj e zëvendësoi masën e arrestit me burg në detyrim paraqitjeje, pa seanca psikologu.

“Por gjyqtari i Korçës Erbvin Sulaj e nxorri zonjën me detyrim paraqitje. Ajo është në shtëpi me vajzën. Mund t’i ndodhë çdo gjë vajzës nga momenti në moment. Nëse ai fëmijë vdes në duart e kësaj zonje çfarë do të thotë gjyqtari Ervin Sulaj. Të rikujtojmë që gjyqtari është nga Kukësi ku nga është edhe mamaja e fëmijës, e cila ka dhunuar familjarët dhe fëmijën e saj. Çfarë do të thotë ky gjyqtar nëse fëmijës i ndodh diçka? Kush e mban përgjegjësinë nëse fëmija vdes?”, tha denoncuesja.

Psikologia Redina Balla Sulstarova thotë se situata është emergjente, pasi vajza e mitur është e pambrojtur dhe e rrezikuar në çdo moment nga ndonjë krizë tjetër dhune nga nëna e saj me probleme mendore.

“Pasi pashë videon sigurisht që nuk gjej fjalë veçanërisht pas atyre skenave dhe në situata të tilla emergjente është vendosja e fëmijës në një ambient të sigurt, në një ambient të shëndetshëm. Nëse fëmija vazhdon të jetë me nënën është një gjë jo vetëm absurde, por cënon realisht shëndetin e fëmijës kështu që në këto raste unë të paktën nga eksperienca ime, në rastet e urdhrave të mbrojtjes kur gjykata ka indicie, gjykata merr masa menjëherë që prindi, ose më saktë dhunuesi të ketë takime të mbikëqyrura ose t’i kufizohet dhe mos të kemi takime fare. Kemi një fëmijë 3-vjeçar që jeton me një nënë të dhunshme dhe një baba neglizhent. Praktikisht me dy figura që nuk përmbushin asnjë detyrim dhe nuk mendojnë aspak për qenien fizike dhe mendore të vajzës së tyre. Duhet përjashtuar nëse nëna vuan nga ndonjë çrregullim, apo problem me çrregullim personaliteti dhe takimet e saj duhet të jenë të supervizuara. Nuk do të rekomandoja që fëmija të jetojë me nënën në atë gjendje”, tha ajo.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re