Prej vitesh flitet për diversifikim të burimeve të energjisë, por ligjet kaotike kanë mbajtur peng investimet, kryesisht në prodhimin e energjisë nga dielli dhe era.

 

Denoncimi vjen nga investitorët privatë të kësaj fushe. Anita Shushku, kryetare e Shoqatës së Burimeve të Rinovueshme, e ftuar në “E-Zonë”, tha se nuk ka një siguri juridike për investitorët në këtë sektor.

 

“Këtu ligjet ndryshojnë çdo vit, nuk ka asnjë vend tjetër në botë që të bëjë kaq shumë ndryshime rregullash në mes të lojës. Ne kemi një ligj për prodhimin e energjisë nga dielli dhe era, por që nga viti 2007 deri në 2019, ne nuk kishim një çmim të përcaktuar për energjinë nga këto dy burime. Nga ana tjetër, bizneset hasin vështirësi në marrjen e lejes së ndërtimit, edhe kur kanë një licence për të ushtruar aktivitet.”

 

Më tej, zonja Shushku, apelon që qeveria të hapë dritën jeshile edhe për investime më të vogla në këtë sektor, dhe mos të fokusohet vetëm tek investimet e mëdha. Deri më tani, kemi 2 gara për ndërtimin e impianteve fotovoltaike që do të ndërtohen nga kompania franceze “Voltalia”, por këto investime ende nuk kanë nisur punën konkrete në terren.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re