E-ZONË/ Pse qeveria ka dështuar në formalizimin e tregut të qumështit?

og.png

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Industria e qumështit ka dhënë shifra alarmante të informalitetit në këtë treg. Sipas saj, vetëm 11% e sasisë së qumështit të prodhuar në vend rezulton të kalojë nëpërmjet një procesi kontrolli, ndërsa, pjesa tjetër prej 89% është totalisht ekonomi informale.

 

Luis Ndreka, kryetar i Shoqatës së Industrisë së Përpunimit të Qumështit, i ftuar në emisionin “E-Zonë” ka treguar arsyet që kanë rritur nivelin e informalitetit në këtë sektor.

 

“Vjen nga mënyra sesi kjo industri ka qenë inekzistente në vitet e demokracisë. Është zhvilluar dhe formalizuar me kalimin e e viteve, po prapë jemi në hapa shumë të hershëm.”

 

Por, pse është kaq e vështirë për t’u formalizuar ky lloj tregu?

 

“Fragmentizimi i tokave. Një fermë blegtorale nuk ka vetëm stallën, por ka me hektarë të tërë toka për të ushqyer lopët. Kur një fermer ose sipërmarrës që kërkon të zmadhojë fermën e tij, ka pak tokë dhe duhet të shtojë shumë copa për të bërë një tokë të madhe për të gjetur mjaftueshëm ushqim, kjo bëhet e vështirë, prandaj kemi ngelur te ferma e mesme; duke qenë kaq e fragmentizuar lë shumë hapësira për informalitet. Plus gjatë këtyre viteve nuk ka pasur një nxitje të vërtetë dhe reale që fermerët të kenë incentivë që ta shesin këtë qumësht në mënyrë të formalizuar.”

 

I pyetur nëse skemat mbështetëse për këtë industri kanë qenë të qëndrueshme, apo e kundërta, jo të mirëstudiuara, Ndreka vlerëson se: “Gjatë gjithë këtyre viteve, ka pasur skema të ndryshme. Fakti që këto skema ndryshojnë vit për vit tregojnë se nuk kanë qenë të menduara mirë. Ndaj, kjo sjell një konfuzion shumë të madh te fermeri.”

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë