Kryeministri Edi Rama nuk ka mbërritur ende në Kuvend, në ditën kur ishte parashikuar që të mbahej një interpelancë për minoritetet, e kërkuar nga deputeti Vangjel Dule.

Rama e ka deleguar interpelancën te ministrja për marrëdhëniet me parlamentin Elisa Spiropali, gjë e cila nuk u pranua nga Dule.

Ky i fundit tha se çështja e minoriteteve është në axhendën e BE-së, edhe pse nuk duket të jetë pjesë e axhendës së Ramës. Kryeministri duket se i është shmangur një përballje me deputetët e opozitës, temës së inceneratorëve, dosje për të cilën dy ditë më parë u arrestua ish-ministri i mjedisit Lefter Koka.

“Kryeministri nuk paska dënjuar që të diskutojmë në lidhje me këtë çështje dhe e ka deleguar. Ka dy mënyra për ta trajtuar këtë, është rruga cinike, dhe ajo konstruktive. Një profesor i shquar gjerman thotë se respektimi i të drejtave të minoriteteve është testi i respektimit të shtetit të së drejtës dhe të lirive. 

Veprimi i zotit Rama tregon se kjo nuk ekziston në axhendën e tij, por fatmirësisht është në axhendën e BE-së. Me keqardhje zonja kryetare nuk e pranoj vazhdimin e kësaj interpelance, zhvendoseni nëse doni datën në një moment ku kryeministri mund të jetë i pranishëm”, tha Dule.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re